E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokalari zbulon emailet e Dritan Priftit për Nanon e Berishën

Një nga aktivistët e njohur të diasporës shqiptare, Geri Kokalari, i njohur për denoncimin e aferave korruptive të zyrtarëve të lartë shqiptarë, zbardh letërkëmbimin e tij me ministrin e ri të Ekonomisë, Dritan Prifti, që në atë kohë ishte opozitar.

Kokalari i kërkon Priftit që nga pozicioni i ri, të zbardhë aferat që ka denoncuar dhe që ka kërkuar të hetohen dhe nga Shtetet e Bashkuara. Prifti denoncon në emailet e tij Nanon dhe Berishën për afera korruptive.

Më poshtë vijon letra e Kokalarit dërguar Priftit para disa ditësh, dhe emailet e Priftit, dërguar në vite të ndryshme Kokalarit.

27 shtator, 2009


Dritan,

Tani që jeni caktuar Ministër i Ekonomisë, keni një pozicion fantastik për të bërë diçka në lidhje me abuzimet, për të cilat më ke shkruar në emailet që më dërgoje. Për të të freskuar kujtesën, po sjell disa kopje të mesazheve më poshtë.

Për shembull, ju jeni në pozicionin e duhur për të mbledhur prova në lidhje me thyerjen e embargos së naftës ndaj Serbisë nga ana e Sali Berishës, siç pretendon dhe ti në emailin e datës 3 nëntor 2008.

Ti je gjithashtu në pozicionin e duhur për të bërë diçka në lidhje me abuzimet në sektorin e telekomit, siç janë marrëveshjet mes Berishës dhe Fatos Nanos për të shitur Albtelekomin tek turqit, siç më thua në emailin e 7 dhjetorit 2006. Bazuar në komentet e tua, duket se ka një rast për tu hetuar Berisha dhe Nano për praktika korruptive.

Ti je më në fund në një pozicion ku mund të bësh përfundimisht diçka në lidhje me pagesat abuzimeve të interkonjeksionit që vazhdojnë ta rendisin Shqipërinë në vendet me pagesat më të larta në botë për telefonatat. Nano dhe Berisha kanë ndihmuar në këto marrëveshje siç e di mjaft mirë edhe ti, Meta ishte aktiv në ngritjen e këtyre strukturave kështu që ti je në një pozicion shumë të mirë për të ndihmuar që të zhduken këto marrëveshje të pandershme, në të mirë të popullit shqiptar.

Gjithashtu ju sugjeroj që të përdorni postin për të hetuar marrëveshjet e tregtisë së armëve që ka bërë MEICO për të përcaktuar nëse Sali Berisha, Shkëlzen Berisha apo Fatmir Mediu kanë përfituar nga këto transaksione duke dhunuar ligjet amerikane. Një mënyrë e mirë për ta nisur do ishte marrëveshja e AEY. Siç jeni në dijeni, Departamenti i Drejtësisë në SHBA dënoi së fundmi tre amerikanë që përfaqësojnë AEY në lidhje me shitjen ilegale të armëve nga Shqipëria, të prodhuara në Kinë. Ndoshta të kujtohet që Kosta Trebicka dyshonte se miqtë dhe familja e Sali Berishës ishin përfshirë në marrëveshjen e AEY. Unë gjithashtu kam informacione që tregojnë se MEICO ka trafikuar municion kinez dhe në raste të tjera për operacionet ushtarake të SHBA.

Gjithashtu është një email i yti i datës 7 nëntor 2004 ku flitet për një paketë informacionesh në lidhje me praktikat korruptive të Fatos Nanos, që ti e ke bërë gati për tua dërguar zyrtarëve amerikanë në SHBA. Në rast se ky informacion nuk është i fabrikuar, atëherë duket se ti ke informacione që implikojnë në krime Nanon. A do të veprosh ti në lidhje me këto informacione, në përpjekje për të ngritur padi ndaj Nanos, tani që ti je në pozicionin e duhur për ta bërë këtë?

Gjithashtu do të doja të dija nëse Fatmir Mediu, me ardhjen në krye të detyrës, a është në gjendje që të përfitojë personalisht nga transaksionet për kreditet e karbonit apo në tregun për reduktimin e gazrave dhe ndotjeve. Ma do mendja që për të arritur këtë, ai do të duhet të bashkëpunojë në një mënyrë a tjetër me ministrinë tuaj, kështu që besoj se do jeni vigjilent që të mos ketë abuzime në këtë drejtim.

Shpresoj se jeni akoma të interesuar për t'ju asistuar në hetimin e individëve të implikuar në praktika korruptive edhe nëse ata janë pjesë e qeverisë suaj, dhe të dyshuarit logjike kuptohet që janë Sali Berisha, Fatmir Mediu, Lulzim Basha dhe Ilir Meta. Do të isha i lumtur tu ofroja asistencë për të ekspozuar këta zyrtarë, dhe ju e dini që jam në gjendje të ndërmarr të tilla aksione nëse është e nevojshme.

Sigurisht ekziston gjithmonë mundësia që të jeni dhe ju i implikuar në manipulime të ndryshme dhe nuk keni interes që Shqipëria të ecë përpara. Unë shpresoj që jo, por koha do e tregojë.

Sinqerisht,

Gary Q. Kokalari

11.07.2004

Email nga Dritan Prifti


Në paketë ka një faks ku, individë të interesuar që kjo punë të kryhet, përmendin Nanon si dikë që ata i kishin dhënë letrat.
Natyrisht atëherë nuk kishte shumë gjëra të shkruara. Avokati i Nanos nga Zvicra donte 5 për qind të marrëveshjes dhe ky është një dokument. Asokohe Nano nuk ishte në pushtet, por ai shkoi te Meta, që ishte kryeministër, me propozimin.
Pasi ambasada amerikane na tha se mund të ishte aktivitet për pastrim parash, ne hoqëm dorë dhe nuk ndodhi gjë.
Atëkohë unë i sugjerova personit nga ambasada amerikanë që më këshilloi, që ne mund të shtiremi në këtë lojë dhe të shikojmë se ç'del, por ai nuk më përkrahu.
Ka shumë emra që unë mund të jap nga pala kriminale, përfshi zviceranë, norvegjezë, suedezë, por ata janë njerëz që do të merreshin me operacionin dhe nuk shfaqen në dokumente. Këto janë dokumentet që kam, përfshi një intervistë audio të Metës që e denoncon marrëveshjen në TV.

Vetëm për këtë informacion dje mora një sms nga njëri prej ndërmjetësuesve norvegjezë që thoshte një fjalë: "përgëzime". Nuk e kuptoj çdo të thotë.
Ndoshta është për zgjedhjen time si kreu i partisë për degën e Tiranës, por ishte një javë pas zgjedhjes. A mund të jenë në dijeni për atë që kam dërguar unë.

12.2004

Email nga Dritan Prifti


Fatos Nano tha publikisht sot se shërbimet secrete të huaja e kanë informuar atë në lidhje me aktivitetin tënd dhe e kam pranuar hapur në zyrën e tij se unë të mbështes.

Dua që ti të protestosh hapur tek qeveria jote dhe ambasada këtu për shkak se unë dhe ti po ndiqemi dhe spiunohemi në mënyrë ilegale.

Dua që ta bësh publike që ti kërkon mbrojtje për veten dhe për mua. Nëse kërkon deklarata zyrtare nga unë, thjesht ma bëj të ditur.

Përfundimisht do të të ofroj çdo detaj të atyre që kemi biseduar bashkë. Bëjë çështjen zyrtare dhe unë do të mbështes.

Protesto përpara institucioneve sepse liritë themelore po dhunohen. Do të dëgjosh shpejt për një përgjigje timen.

Faleminderit.

11.03.2008

Email nga Dritan Prifti


Çfarë provash? Kur New World u largua, asgjë nuk ndodhi. Nano ua shiti turqve dhe Berisha e bekoi këtë. Kishte një tentativë nga Nano për ta shitur licencën e dytë të telefonisë celulare tek Vodafone me gjysmë çmimi. Meta e refuzoi këtë dhe Nano iu qep pas derisa e largoi nga detyra. Në atë kohë isha shef kabineti i Metës dhe di gjithçka.

12.07.2006

Email nga Dritan Prifti


Gary,

Disa deputetë të opozitës po mendojnë që të kërkojnë një hetim për dhunimin e embargos së naftës nga Berisha. Nuk e di nëse ka diçka që mund të bëhet për ta hetuar atë për dhunim të embargos. A ka ndonjë institucion ndërkombëtar apo njeri me të cilin mund të flasim?

Do të donim të dinim nëse ndonjë konventë ndërkombëtare apo rregullore e OKB, parasheh të tilla veprime dhe çfarë mund të bëhet? A mund të na ndihmosh në këtë drejtim. Sabit Brokaj thote se kujtimet e disa grekëve (më duket të kontrolloj sërish për ta), hedhin dritë mbi një marrëveshje sekrete të Berishës dhe qeverisë greke për të furnizuar Serbinë me naftë. Do të kontrolloj burimin dhe emrin sërish dhe do ta bëj të ditur.

Gjithë të mirat,

Dritan



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›