E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti me një seancë në javë, Topalli: Të heqim të hënën

TIRANË - Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, iu propozoi sot deputetëve të ndryshojë procedura e zhvillimit të seancave plenare. Në nisje të seancës së sotme, ajo u shpreh se "Konferenca e kryetarëve ka vendosur që të mos zhvillohen më seanca plenare pasditen e së hënës por parlamenti të mblidhet vetëm ditën e enjte".

Propozimi i saj kishte për arsyetim faktin se komisioneve duhet t'iu lihet më shumë kohë në dispozicion që të punojnë për ligjet. Gjithsesi kjo nuk ishte një pikë e rendit të ditës dhe nuk u hodh në diskutim, por vetëm një sinjal i znj. Topalli se procedura e seancave plenare mund të ndryshojë.

Në seancën e sotme u diskutuan disa projektligje të rëndësishme si ai "Për autoritetin rrugor shqiptar", "Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës", si dhe ratifikimin e dy marrëveshjeve mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverive të Çekisë dhe Spanjës për bashkëpunim në luftën kundër krimit.

Diskutimi u përqendrua kryesisht në pr/ligjin "Për autoritetin rrugor shqiptar" dhe p/ligjin "Për përcaktimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës" i cili synon kufizimin e moshës së daljes në pension të punonjësve të nëntokës nga 65 vjeç në 60 vjeç. Deputetët kërkuan që ligji të fillojë nga veprimi që në vitin 2010 dhe jo në 2013 siç është parashikuar. Lidhur me projektligjin për autoritetin rrugor, deputetët e mazhorancës thanë se ky autoritet ridimension reformat në infrastrukturë dhe synon shndërrimin e Drejtorisë së Rrugëve në një ent publik.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›