E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kokona: Zona të dedikuara për investime

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Gjatë Konferencës së Ambasadorëve, drejtoresha e Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), Elira Kokona, deklaroi se Shqipëria ka hyrë në fazën e zbatimit konkret të projekteve strategjike, duke kaluar nga ideimi në rezultate të prekshme, falë mbështetjes së drejtpërdrejtë të Qeverisë dhe rrjetëzimit të fuqishëm përmes përfaqësive diplomatike.

“Nga vendosja e objektivave, kemi kaluar në implementim konkret. Vetëm në dy vitet e fundit kemi arritur të gjenerojmë mbi 68 projekte që janë dëshmi e një vizioni të qartë për zhvillim ekonomik e territorial” tha Kokona, teksa vuri në dukje se Durana Tech Park është një realitet inovativ.

“Një ndër projektet më ambicioze që tashmë është funksional në modelin virtual është Durana Tech Park, parku i parë i teknologjisë dhe shkencës në Shqipëri, me mbi 50 përdorues rezidentë dhe të tjerë në proces vlerësimi. Projekti synon të shndërrohet në një ekosistem inovacioni, duke strehuar kompani teknologjike, startup-e, universitete dhe profesionistë të pavarur (nomadë dixhitalë), me objektiv të qartë: të jetë një destinacion i rëndësishëm për investime dhe zhvillim teknologjik në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, u shpreh Kokona.

Ajo nënvizoi se, Korporata po zhvillon destinacione të reja turistike me standarde të larta, me fokus në turizmin elitar, duke ruajtur balancën me mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore. Gjithashtu, po investon në rijetëzimin e infrastrukturës kulturore, sportive dhe fetare, si stadiumet, Pallati i Kongreseve, Biblioteka Kombëtare dhe Parku i Besimit.

Një tjetër risi, theksoi Kokona gjatë fjalës së saj, është krijimi i zonave të dedikuara për investime, të çliruara nga pengesat burokratike, që u japin investitorëve siguri dhe lehtësi në vendimmarrje. “Këto modele të reja qeverisjeje synojnë të nxisin jo vetëm rritjen ekonomike, por edhe besimin afatgjatë të investitorëve”, theksoi ajo.

Kokona theksoi rëndësinë e një narrative të përbashkët kombëtare për Shqipërinë si destinacion investimesh. Ajo u bëri thirrje ambasadorëve që të jenë zëdhënës të këtij vizioni në tregjet ndërkombëtare, duke shfrytëzuar ambasadat si pika hyrëse për investitorët.

“Duhet të përçojmë një mesazh të unifikuar për Shqipërinë  si vend stabil, me potencial të madh në teknologji, turizëm, bujqësi, energji dhe industri shërbimesh. Durana është shembulli konkret që mund ta reklamojmë kudo si ftesë për investime të zgjuara.”

“Synimi ynë është që AIC, të jetë partneri më i besueshëm për çdo investitor”, tha ajo

Në përmbyllje, Kokona u shpreh se Korporata Shqiptare e Investimeve synon të jetë adresa e parë dhe më e besueshme për çdo investitor, duke ofruar qartësi, partneritet dhe zgjidhje konkrete:

“Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë mision. Potenciali është i jashtëzakonshëm dhe bashkëpunimi ynë mund ta kthejë këtë potencial në zhvillim të qëndrueshëm për vendin”, u shpreh drejtoresha e Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), Elira Kokona. /j.p/

1 nga 17

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›