E Hënë, 2 Nëntor 2026

Energjia, transporti, turizmi dhe bujqësia, investimet me përparësi strategjike

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka bërë të ditur se gjashtë sektorë kryesorë ofrojnë mundësi për projekte që mund të përfitojnë nga statusi i investitorit strategjik, nëse përmbushin kushtet ligjore, përfshirë vlerën e investimit dhe numrin e vendeve të punës që krijojnë.

Sektorët e identifikuar përfshijnë energjinë dhe minierat, transportin, infrastrukturën dhe komunikimet elektronike, turizmin, bujqësinë dhe peshkimin, si dhe zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, përfshirë edhe zonat me përparësi zhvillimi, kryesisht në fushën e turizmit.

AIDA publikoi së fundmi përmbledhjen vjetore informative mbi procedurat, kriteret dhe përfitimet e dhënies së statusit “investim/investitor strategjik”, duke sqaruar hallkat institucionale të përfshira, si dhe afatet e shqyrtimit dhe miratimit të aplikimeve.

Sipas AIDA-s, gjashtë janë sektorët ku potencialisht mund të zhvillohen projekte që përfitojnë nga ky status, nëse përmbushin kushtet ligjore, ku më kryesori mbetet vlera e investimit dhe numri i vendeve të punës që gjenerohen prej tyre.

Sektorët përfshijnë energjinë dhe minierat, transportin, infrastrukturën dhe komunikimet elektronike, turizmin, bujqësinë dhe peshkimin, zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik si dhe zonat me përparësi zhvillimi, kryesisht në fushën e turizmit.

Për sektorin e energjisë dhe minierave, ashtu si edhe për transportin, infrastrukturën dhe komunikimet elektronike, kërkohen investime me një vlerë minimale prej 30 milionë eurosh për të përfituar statusin “procedurë e asistuar”, ndërsa për statusin “procedurë e veçantë” shifra minimale është 50 milionë euro.

Në fushën e turizmit, investimi duhet të jetë të paktën 5 milionë euro dhe të krijojë jo më pak se 80 vende pune për t’u konsideruar në kategorinë e procedurës së asistuar, ndërsa për procedurën e veçantë kufiri minimal i investimit është 50 milionë euro.

Në sektorin e bujqësisë dhe peshkimit, pragu për procedurën e asistuar është 3 milionë euro dhe të paktën 50 vende pune, ndërsa për procedurën e veçantë kërkohet një investim prej 50 milionë eurosh.

Zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik parashikojnë një prag minimal prej 5 milionë eurosh për procedurën e asistuar dhe 50 milionë eurosh për procedurën e veçantë.

Ndërkohë, zonat me përparësi zhvillimi kanë kushte të veçanta, ku për t’u përfshirë në kategorinë e procedurës së asistuar investimi duhet të jetë të paktën 1 milion euro dhe të krijojë jo më pak se 150 vende pune, ndërsa për procedurën e veçantë kërkohet një investim prej 10 milionë eurosh që gjeneron minimalisht 600 vende pune.

AIDA saktëson gjithashtu se për sektorë të tjerë, investimet me një vlerë prej të paktën 50 milionë eurosh mund të përfitojnë statusin e investitorit strategjik me procedurë të asistuar, pas miratimit paraprak nga ministria përkatëse, ndërsa ato që arrijnë shifrën e 100 milionë eurove përfitojnë statusin përmes procedurës së veçantë. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›