E Hënë, 2 Nëntor 2026

Manja: Inspektor përgjegjës për monitorimin dhe kontrollin e punimeve deri në kolaudim

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja prezantoi sot paketën e re të ndërhyrjeve ligjore, në kuadër të thellimit të reformës për mbrojtjen e territorit.

Në ndryshimet ligjore që synohen të bëhen në ligjin 8402 i vitit 1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, Manja tha se një ndryshim ka të bëjë me vendosjen e një inspektori përgjegjës për çdo ndryshim në territor.

“Njësitë vendore caktojnë një inspektor përgjegjës për monitorimin dhe kontrollin e punimeve deri në kolaudim. Të dhënat e inspektorit dhe raportet e tij publikohen në sistemin e-Inspektimi, i ndërlidhur me sistemin elektronik të lejeve e-leje”, tha Manja.

“Inspektoratet bashkërendojnë procesin e kontrollit me Sekretariatin Teknik të KKTU, duke garantuar monitorim të unifikuar dhe efikas”, nënvizoi Manja.

Manja tha se “shkeljet e konstatuara nga subjektet zhvilluese trajtohen menjëherë nga trupa inspektuese”.

“Përveç dënimit administrativ me gjobë, merret vendim përfundimtar i menjëhershëm, i firmosur nga Kryeinspektori përmes sistemit elektronik të inspektimit. Vendimi përfundimtar, i njoftohet subjektit të inspektimit nëpërmjet postës elektronike, apo nëpërmjet shërbimit postar”, tha Manja.

Një tjetër ndryshim në këtë ligj është edhe “rritja e garancisë së zbatimit të projekteve arkitekturore: përfshirja e detyrueshme e arkitektit përgjegjës gjatë gjithë procesit të ndërtimit, për të siguruar respektimin e projekteve të miratuara”.

“Përcaktim i fazave të kontrollit: ndarje e qartë e kontrolleve nga momenti i ngritjes së kantierit deri në rifiniturat përfundimtare, duke garantuar gjurmueshmëri të plotë.

“Formalizim i procedurës së njoftimit: detyrim për raportim zyrtar tek autoritetet përpara fillimit të çdo punimi.

“Forcim i mekanizmave të kontrollit: vendosja e katër fazave të detyrueshme të kontrollit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

“Kushtëzimi i lidhjes me infrastrukturën: lidhja me rrjetet e ujit dhe energjisë elektrike lejohet vetëm pas pajisjes së objektit me certifikatë përdorimi.

“Roli i Sekretariatit Teknik të KKTU: angazhim më aktiv në monitorimin e zbatimit të punimeve për lejet që janë në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit”, u shpreh ministri.

Manja prezantoi propozimet për ndryshimet në ligjin 66/2023 “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”.

“Shfuqizim i të drejtës së parablerjes dhe i kontratave të premtimit të shitjes me vlerë simbolike (1 euro) në rastet e konfiskimit. AAPSK merr kompetencën për administrimin e objekteve të konfiskuara, duke zëvendësuar Komisionin e Objekteve të Konfiskuara.

“Procedura të thjeshtuara pas konfiskimit: marrja e lejes “as built” dhe certifikatës së përdorimit pranë AZIIT-së, e më pas regjistrimi në ASIIK. Njohje e marrëdhënieve kontraktuale midis zhvilluesit dhe pronarit të truallit, përveç rasteve kur pronari është vetë ndërtuesi. Respektim i kontratave të regjistruara noterialisht ndërmjet zhvilluesit dhe palëve të treta, nëse janë regjistruar në Kadastrën Shtetërore para konstatimit të shkeljes”, tha Manaj.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›