E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koktej molotovi në zyret e Ivanoviqit

(E plotësuar) Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë ka kërkuar sot që sa më parë të gjenden ata që janë përgjegjës për zjarrin në Mitrovicë, me ç’rast janë djegur zyrat e partisë së politikanit, Oliver Ivanoviq.

“Zyra për Kosovë e dënon ashpër zjarrvënien dhe kërkon nga kompetentët që sa më parë të gjenden dhe dënohen aktorët e kësaj vepre të keqe”, thuhet në kumtesën e kësaj zyre.

Zoti Ivanoviq ka deklaruar se motiv i zjarrvënies ishte politika, pasi “mendimi i tij nuk përputhet me mendimin e disa njerëzve të tjerë”.

-----

Një shishe me përzierje ndezëse (koktej molotovi) është hedhur në zyrën e udhëheqësit të partisë politike “iniciativa qytetare”, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës.

Rasti është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 23:20 min, ndërsa Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës, është informuar nga njësitë patrulluese në teren.

Në vend ngjarje veç njësive policore kanë reaguar edhe njësitë e zjarrfikësve të cilët kanë arritur që të lokalizojnë zjarrin me të arritur në vend ngjarje.

Policia bënë të ditur se, hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës në Mitrovicës, kanë marrë si pjesë të provave materiale; një kapak të shishes dhe një leckë që kundërmonte në benzinë, e që besohet se janë mbetje nga elementet e përdorura në këtë akt kriminal.

Besohet se përzierja ndezëse është hedhur brenda në zyrë nga prapa objekti ndërsa një palë shkallë janë gjetur të mbështetura për muri prapa objektit, që besohet se kryesit i kishin përdorur për të arritur lartësinë e duhur.

Hetimet lidhur me motivin dhe identifikimin e personave të dyshuar të këtij akti kriminal janë duke u ndjekur nga Policia, ndërsa rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”./Indeksonline/

----

Digjen zyrat e Ivanoviqit në veri

Zyra e Iniciativës Qytetare- Demokracia dhe Drejtësia e Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë është djegur tërësisht mbrëmë rreth mesnatës.

Kapiten Besim Hoti, zëdhënës rajonal i Policisë në Mitrovicë, ka deklaruar për Indeksonline se, Policia e Kosovës ndodhet në vendin e ngjarjes dhe sipas hetimeve preliminare zjarri konstatohet se ka qenë i qëllimshëm.

“Njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës dhe të Zjarrfikësve aktualisht ndodhen në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me hetimin e zjarrit”, ka thënë Hoti, duke shtuar se, nuk ka persona të lënduar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›