Zyrtari i METE: Policia të nxjerrë grevistët nga miniera, u rrezikohet jeta
Reparti i Shpëtim-Minierave ka dhënë dje alarmin për evakuimin e 13 minatorëve grevistë, nga niveli i 14-të i nëntokës. Ky institucion në varësi të Ministrisë së Ekonomisë i kërkoi dje publikisht Policisë së Shtetit të ndërhyjë, duke nxjerrë grevistët nga galeria ku janë ngujuar prej 18 ditësh. Apeli për policinë është bërë nga kreu i repartit, Sajmir Zekaj. “I bëj thirrje Policisë së Shtetit të ndërhyjë urgjentisht për evakuimin e njerëzve që ndodhen në minierë, për të bërë të mundur sigurimin e jetës së tyre si dhe të vetë minierës, që është pasuri kombëtare” - tha Zekaj në një konferencë për mediat. Në emër të institucionit që drejton, ai ka firmosur një padi dhe e ka dorëzuar në prokurorinë e qarkut Dibër në ngarkim të drejtuesve të grevës. Kreu i Repartit të Shpëtim-Minierave tha dje se inspektimi në minierë tregoi qartësisht mungesën e elementeve të sigurisë dhe degradimin e galerive. "Nisur nga inspektimi i kryer në datën 9 gusht 2011 u konstatua se ambienti ku janë ngujuar punëtorët grevistë, është stacioni i pompave të nivelit si dhe pajisje të tensionit të lartë, të cilat mund të bëhen burim aksidenti. Heqja e ujërave është kryer nga grevistët, ndërsa mirëmbajtja e punimeve nuk janë duke u kryer nga askush. Nga matja e ajrimit të kryera në nivelin e 14-të u konstatua se sasitë e ajrit që hyjnë në këtë nivel janë poshtë normave të parashikuara në projektin e ajrimit. Niveli i oksigjenit në punimet kryesore dhe në afërsi të vendit ku zhvillohet greva është në kufijtë minimalë të lejuar.” - deklaroi dje drejtori i Përgjithshëm i RISHM, Sajmir Zekaj. Sipas tij, mosfunksionimi i rregullt i pompave të ajrimit ka sjellë lëvizjen e pakontrolluar të rrymave të ajrit, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e lagështisë. “Në afërsi të vendit ku zhvillohet greva u konstatua se ajri është i rëndë dhe ambienti i ndotur nga njerëzit. Gjithashtu, u konstatuan shenja të pirjes së duhanit, gjë e cila ka rrezikshmëri të lartë nga gazrat që mund të krijohen në minierë. Të gjitha këto kanë ardhur si rrjedhojë e mosfunksionimit të rregullt të sistemit të ajrimit dhe mungesës së kontrollit nga specialistët e kompanisë ACR" - shtoi Zekaj. Ky repart ka vërejtur shembje nga tavani dhe faqet anësore si dhe dëmtime të armatimeve prej druri në disa niveli, si rezultat i moskontrollit në vazhdimësi i punimeve nga punëtorët e kompanisë. Pas inspektimit, ky institucion në varësi të Ministrisë së Ekonomisë pretendon se u konstatua se të gjitha rrugëdaljet që lidhin nivelin e 14-të me nivelin e 13-të janë të bllokuara qëllimisht nga mjete të ndryshme nga vetë grevistët. Gjithashtu, Zekaj nënvizoi se punimet e nënkateve në nivelin e 15-16 kanë filluar shembjen e armatimit prej druri në segmente të veçanta. Kjo sipas tij ka ardhur si rezultat i ndërprerjes së punimeve dhe mungesës së kontrollit për një kohë të gjatë nga specialistët përkatës. Zekaj tha se nuk kishin dhënë rezultat negociatat për lejimin e hyrjes nëntokë të disa specialistëve të mirëmbajtjes. “Punëtorët grevistë nuk na lejuan hyrjen nën tokë. Kjo vjen si rrjedhojë dhe e interesave të një grupi të caktuar të drejtuesve të grevës. Gjendja në minierë po vjen duke u përkeqësuar nga dita në ditë, vazhdimi i ndërprerjes së aktivitetit në minierë po sjell pasoja tek atmosfera e minierës, e cila po ndikon direkt në përkeqësimin e mëtejshëm deri në rrezikimin serioz të jetës së punëtorëve grevistë”, - përfundoi ai.