Kolaudimi i makinave, në shtator rriten tarifat: Zbardhet tabela zyrtare me tarifat e reja të kontrollit teknik të automjeteve
Nga data gjashtë shtator e këtij viti do të hyjë në fuqi udhëzimi i ri i Ministrisë së Transporteve për tarifat e reja të kolaudimit të makinave. Për ti ardhur në ndihmë gjithë drejtuesve të automjeteve, gazeta publikon sot, të plotë tabelën me tarifat e reja sipas llojit të automjetit. Krahasuar me një vit më parë, tarifat e kontrollit teknik të automjeteve janë rritur, çka do të thotë se të gjithë drejtuesit e automjeteve do të duhet të paguajnë më shumë për kontrollin teknik të detyrueshëm vjetor, ose thënë ndryshe kolaudimin. Referuar tabelës, rritjen më të vogël do ta kenë tarifat për kontrollin teknik të motorëve, nga 800 lekë aktualisht, në 870 lekë. Ndërkohë, drejtuesit e automjeteve 4+1 vende, të cilët aktualisht paguajnë 1.800 lekë, nga 6 shtatori duhet të paguajnë 160 lekë më shumë. Rritje të konsiderueshme ka pësuar tarifa e automjeteve deri në 8+1 vende, nga 2.500 në 2.730 lekë. Po ashtu, drejtuesit e të gjitha mjeteve të rënda nga 3,5 ton deri mbi 18 ton, si dhe të autobusëve duhet të paguajnë 2.950 lekë (250 lekë më shumë). Në udhëzimin e ri nuk sqarohet qartë arsyeja e rritjes së këtyre tarifave, por me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të gjithë qytetarët që posedojnë një automjet, presin një shërbim më cilësor, pa radhë dhe pa korrupsion.