Qerim Skënderaj dhe Alban Skënderaj, babai poet, i biri këngëtar
Nga Gëzim Llojdia
Qerim Skenderaj është poet. Në qytetin jugor e njohin, ëmbëlsisht e thonë emrin e poetit. Në qytetin ku ka det, dallgë, rëre dhe motiv deti poeti erdhi në vite 70. Prej këtij peizazhi ai, përvetësoi lirizmin poetik. Sepse në brendi të brendisë së zemrës ruante nuancat poetike,që gjithnjë ishin ngacmime të mëdha për hepime zemrash. Në fakt si mua dhe Qerimit zgjimin poetik na e bëri Naimi. Naimi i derës së Frashëllinjëve. Qerimi ka një shtysë më tepër. Dritësimin e ka njohur, pra shkëlqimin e diellit të botës e ka parë në 12 mars 1949 në krahinën Mallakastër. Ai nuk mbanë mend shumë për fëmijërinë e hershme sepse i lidhur kopanecë, ai endej në botën e gjithhershme dhe priste vetëm një shkak. Të rritej.
Ndërsa ditët mbylleshin me muzgje,netët ndrisnin me yje,dimrat gjithë llohë dhe beharët me zheg vere. Kështu brenda këtyre kontureve ai pati dy dëshmitarë. Prindërit. Nëse jeta është si valë deti. Ngritjet dhe uljet e saj. Janë dallgë të atij deti,që godisnin brigjet dëshmitare. Pasqyrimi i saj na lejon të qartësojmë, thellësinë nën syprinën e ujit. Vuajtjet e rritjes e sollën në 5 vjet ose në 1550 ditë,kur banesa ndjeu pikëllim për ikjen e burrit të shtëpisë. Ishte thyer trari kryesor.
U lidh me nënën ,që siç e shpreh ai. Për 46 vjet me radhe ndërtoi lidhje te fuqishme shpirtërore duke e pasur pike referimi e muze frymëzimi në shumë poezi. Nëna. Naimi dhe natyra kane qene shtysa e pare drejt magjisë se artit poetik. Përse nëna?Ajo është thirrja e parë dhe e zëshme e botës. Ajo na mëkoi gjakun ,qumështin, fjalën. Po shqyrtojmë një seri mënyrash, që kanë një lidhje gjaku me dhembshurin e nënës . Dhembshuria e saj nuk është e lindur vetëm në insekte, por një energji e pashueshme dhe e pazhbëshme e ardhur nga pjesa e sipërme, atje ku ngjizet energjia. Ajo vjen, bëhet e fortë në kapërcim të viteve tek seksi femëror Dhe i është dhënë vetëm asaj. I është lënë vetëm asaj, si zotërim energjie më tepër. Përse Naimi? Kënga naimjane si pjesë e shpirtit naimjan është mesazhi, që na ngjizi koha nëpër deje është si puna e mishit, që me gjakun përbëjnë eshtrat e këtij kombi. Përse natyra? Natyra është frymëzim si gjithera për krijuesit e botës. Format,ngjyrimi,drita,flora e mrekullueshme një sërë fenomenesh, që lënë gjurmë ,që gdhendin brazdë në thellësi të shpirtit.
Kështu duke parë tre elementët Qerimi u bë poet.
Përse tre. Janë tre elementë të domosdoshëm dhe përcaktues në gjithë jetën. Tre si në libra të adhuruara nga njerëzimi. Ne si shqiptarë gjysmë pagan e gjysmë besimtarë kishim nënën,natyrën dhe poetin preferuar, në këtë rast Naimin.
E shkruaj si në rrëfimin e tij: Ne vitin 1963 shkon në Tiranë për të kryer studimet ushtarake dha pas shtatë vitesh titullohet oficer në specialitetin e artilerisë kundërajrore. U emërua ne kryeqytet ku shërbeu dy vjet pranë ish fushës së aviacionit Laprakë. Në vitin 1971 transferohet në Vlorë ku njihet e dashurohet me Afërditën duke krijuar familjen, nga e cila erdhën ne jete katër djem. Pas dhjetë vitesh një tjetër transferim bëri të sistemohej në Lushnjë dhe në vitin 1991 rikthehet përsëri në Vlorë. Ka shkruar në shtypin periodik të kohës, kryesisht në atë ushtarak. Në vitin 1998 me një grup krijuesish vlonjate formuan Shoqatën e Shkrimtarëve Petro Marko dhe deri në vitin 2001 ka qenë kryetar i saj. Që nga ai vit vendoset në Pistoia Itali, ku banon edhe sot së bashku me Afërditën, Albanin, dhe tre djemtë e tjerë.
Albani është një djemtë e Qerimit, që për nga talenti është njohur si këngëtar i muzikës së lehtë. Alban Skënderaj ka fituar mjaft çmime në festivalet shqiptare. Shprehja bëmë baba të të ngjaj, këtu merr një devijim të lehtë. Albani një nga të kaëtrt djemtë e Qerimit u bë këngëtar, Qerimi poet.
Veprat letrare
Poezi, ka shkruar librat: Një gote pikëllim, Mendimet mu çmenden Qielli ne piken e lotit, Djalëri e thinjur, Rrudhje mali.Lulet e fajit, Nën hijen e fundvjeshtës.
Prozë, ka shkruar librat: Varri i gjallë roman, Përplasja e madhe Tregime, ese. Pas kuintave të teatrit diktonin roman.
Për librin Nën hije të fundvjeshtës, Myrteza Mara, poet, kryetar i shoqatës Petro Marko, ka shkruar: Poeti loton me penë mbi rreshtat e kësaj poeme me përmasa fishtiane. Krahët e shqipes janë rrudhur në qiellin e përzier nga erërat gri, por poeti shpreson e ëndërron.
Shpresa e Madhe Shqipes i ngjan një anije mbi det të trazuar që herë zhytet e herë ngrihet mbi kreshtat e thinjura të dallgëve, në kërkim të fanarit pranë bregut. Timonierët e anijes – si fletët e kalendarit. Ata që i njohin pikat e horizontit i kanë kthyer gjoksin erërave gri duke e bërë shqipen Kryezonjë. Të tjerë, disa i zuri deti. Disa u thyen nga dallgët dhe disa të tjerë, ata që brohorisnin si grykë shpellash, e braktisën anijen, ose e bënë atë urë. Ky shqetësim sa poetik, aq dhe atdhetar, përcillet në këtë vepër letrare me kulturë duke i dhënë mesazhit artistik ngjyrën e testamentit. Poema mbetet e hapur për të shkruar e rishkruar brengën dhe dashurinë e madhe për vendin e kombin, sepse krahët e Shqipes, na kujton kjo poemë, ende sjanë shtrirë në përmasat e lirisë së saj, ëndrrave që i kanë dhënë zotat. Si gjithnjë, malli për nënën përcillet me aq ndjenjë në poemthin Bisedë me Nënën. Emocionet janë njerëzore, por dhe artistikisht të arrira. Lirikat e këtij vëllimi janë interesante: të brishta, transparente, flladitëse. Si ndjenjë, dashuria është pronë e shpirtit njerëzor, por vetëm poeti i këndon bukur asaj. Vetëm frymëzimi poetik bën universale detaje të thjeshta, marrë nga jeta dhe vëzhgimet e përditshme.
Rrëfimi i Qerim Skenderaj: Rrënjët e mia
Para afro një shekulli, babai im mbolli farë në një fshat te largët të Mallakastrës, ku ishin hedhur rrënjë të thella prej stërgjyshërve. Fara ime mbiu e fundit, pas katër mbirjeve të mëparshme. Një tërmet i fuqishëm na shkuli që andej dhe na spostoi gjetkë, ku nuk kishim as rrënjë as degë. Unë atëherë isha akoma një filiz i njomë. Nuk i ndjeva fare dhimbjet e shkuljes. Mund të më rimbillnin prapë në formë fidani dhe sigurisht do ti thelloja rrënjët e mia. Por nuk ndodhi kështu. Dëshira për shkollim më çoi në Tiranë, si një degë të re, veshur në të blertën ushtarake. Rikthehesha në vendlindje për të marr ushqim nga rrënjët e babait, por atje kishte mbetur vetëm varri i tij. E ndjeja dhe e jetoja me keqardhje të thellë, se rrënjët pa degë, po kalbeshin nën tokë. Të mitë kishin hedhur rrënjë të reja; nuk kujtoheshin më për to. Veçse unë nuk kisha rrënjë atje, prandaj shkoja shpesh te të vjetrat ti ushqeja me degën time të blertë, tu jepja oksigjen e tu zgjatja jetën sa të mundja. Shëtisja, kujtoja, qaja e qeshja me fëmijërinë time te papërsëritshme. Tirana, me bukuritë kryeqytetase, me zhurmën dhe qetësinë e dikurshme apostolike, më mori 10 vjet. Më shndërroi në një degë të pjekur, të fuqishme, por akoma pa rrënjë për tu shtuar e zgjeruar në oborrin tim. E ndërsa kërkoja tokë për të mbjellë farën time si prind i ri, një sopat më krasiti keq. Më preu një copë të blerte nga dega e më degdisi në gadishullin e njohur të Vlorës. Atje mbërrita i gjymtuar, i trembur nga frika e mbjelljes dhe e gjeta të udhës të rrija ca kohë i mbyllur. Vlora me bukurinë anëdetase, me panoramën magjike të një parajse tokësore, më ftonte të ngulesha, të hidhja rrënjët e mia të thella për të krijuar më pas një trung të fuqishëm. Pas më se tre vjet kërkim, rashë në tokë të mirë për të mbjellë. Mbolla cilësisht dhe prej saj çelën dy bisqe të shëndetshëm e të bukur që më gëzonin e lumturonin çdo ditë. Por edhe Vlora si Tirana, nuk më mbajti dot më shumë se 10 vjet. Me dhimbje shkula dy lastarit e bukur për tu vendosur në qendër të My