E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegët kundër Çanit: Gabim që e rikthyen

Edgar Çani

Kthimi i Edgar Çanit te Polonia e Varshavës ka hapur polemika, kryesisht mes sulmuesve të kësaj skuadre. Kështu, dy nga tre lojtarët aktualë të këtij reparti (pa përfshirë Çanin), kanë shprehur habi për mënyrën se si drejtuesit e klubit e pranuan sërish në skuadër. Të kontaktuar nga mediat polake, Luka Teodorzik dhe Daniel Golebievski, në deklaratat e tyre kanë “thumbuar” sulmuesin e Kombëtares shqiptare. Kuptohet që një reagim i tillë ka ardhur pasi me kthimin e Çanit rritet konkurrenca në sulm. “Është gjithnjë e vështirë për t’u rikthyer në skuadër pasi ke pasur përplasje me drejtuesit. Në fillim ai (Çani) pohoi se nuk do të kthehej më këtu, pikërisht për shkak të këtyre problemeve. Por, me qetësimin e situatës, u pranua nga drejtuesit e klubit. Për mendimin tim, është një vendim sa i çuditshëm për atë si futbollist, por edhe për vetë klubin”, ka pohuar sulmuesi Teodorzik. “Sinqerisht më vjen keq për atë si futbollist, pasi duket qartazi se, pasi u mundua që të gjente një skuadër, asnjë nuk pagoi për të, ndaj rikthimi te ne ishte e vetmja zgjidhje. Tani i duhet të rikuperojë kohën e humbur dhe të vijë në formën e duhur para se të japë kontributin e tij për skuadrën”, ka thënë Golebievski.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›