Basha: Do rehabilitojmë katër fusha sportive në Tiranë

Kryebashkiaku Lulzim Basha
Kryebashkiaku uron për 80-vjetorin e lindjes Miço Papadhopullin.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka organizuar një ditë më parë një ceremoni të veçantë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së ikonës së futbollit shqiptar, Miço Papadhopulli. Duke e uruar për ditëlindjen, numri një i Bashkisë ka shprehur mirënjohje për kontributin që z. Papadhopulli ka dhënë për sportin, kontribut të cilin e vazhdon dhe sot, si anëtar i Këshillit Sportiv-Kulturor në Bashkinë e Tiranës. “Për mua personalisht është një nder i veçantë jo vetëm t’ju uroj 80-vjetorin dhe një jetë të gjatë e të lumtur, ju, bashkëshortes, fëmijëve, nipërve, mbesave, por edhe t’ju falënderoj për kontributin që jepni për qytetin e Tiranës, si anëtar i Këshillit Sportiv-Kulturor, Këshill që në këtë hark kohor prej afro 14 muajsh, ka vulën e një sërë aktiviteteve të rëndësishme për qytetin e Tiranës. Si anëtar i këtij Këshilli, z. Papadhopuli tregon se përvoja dhe vitet e mira të tij janë plotësisht në funksion të qytetit dhe qytetarëve dhe, ndonëse vitet e tij më të mira si sportist mund t’i ketë lënë mbrapa, vitet e tij të mira si qytetar i Tiranës, i përkushtuar për Tiranën, vazhdojnë dhe janë akoma përpara tij”, u shpreh fillimisht kryebashkiaku. Basha ka zgjedhur pikërisht 80-vjetorin e legjendës së sportit shqiptar, Miço Papadhopulli, për të lançuar edhe iniciativën e Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e 4 fushave sportive. “Unë e kam zgjedhur jo rastësisht këtë ditë, ditëlindjen e Miços, për të shpallur një tjetër iniciativë të Bashkisë, që ka të bëjë me rehabilitimin e 4 fushave sportive, aneksit të vjetër të Qemal Stafës, fushës sportive të Kombinatit dhe dy fushave të tjera sportive, përkatësisht në zonën e Laprakës dhe në Njësinë Bashkiake Nr. 3. Ky propozim do të vijë para Këshillit dhe ne shpresojmë që me fondet tona dhe me ato të qeverisë, të bëjmë të mundur që në këto 4 fusha të stërviten me qindra të rinj, të udhëhequr nga shembulli i kësaj ikone dhe ikonave të tjera të sportit, të frymëzuar nga ky shembull”, theksoi kryebashkiaku.
Papadhopulli: Mirënjohës Bashkisë për respektin
Nga ana e tij, Miço Papadhopulli nuk ka ngurruar që ta falënderojë kreun e Bashkisë për këtë ceremoni, sikundër shprehu mirënjohjen edhe për angazhimin e tij në Këshillin e Sportit dhe Kulturës në Bashkinë e Tiranës. “Kur më zgjodhën si anëtar të Këshillit Bashkiak, t’ju them të drejtën isha shumë i gëzuar. Unë si socialist i vjetër, madje njëri më tha të shkruaj aty që kam qenë socialist. Lërë more atë muhabet, i thashë. E falënderoj edhe njëherë kryetarin për këtë nder që më ka bërë, përmes kësaj ceremonie dhe dhuratat që më dha. I jam mirënjohës dhe i kërkoj në të ardhmen një punë akoma më të madhe, se nuk merr asnjëherë fund puna këtu në Bashki”.