Kolegjet pak mundësi të fitojnë doktoratën

Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA) do të japë fjalën e saj rreth akreditimit dhe riakreditimit të programeve të fushave e niveleve të ndryshme studimi për institucionet publike e ato private të arsimit të lartë, në fillim të korrikut të këtij viti. Ndërkohë, mundësitë që kolegjet private në vend të marrin titullin “Universitet” janë ende minimale. Madje, edhe titulli “Kolegj Universitar” edhe në këtë raund të procesit të riakreditimit parashihet të fitohet jo lehtë nga ato institucione që kanë aplikuar për doktoratë.
AKA-ja është e vendosur që kolegjet të respektojnë kriteret që kërkohen për t’u akredituar sidomos programet e doktoratës, e të cilat janë edhe rruga për tek titulli “Kolegj Universitar” dhe më pas ai “Universitet”. Dispozitat ligjore të Ligjit për Arsimin e Lartë parashohin që emërtimi “Kolegj universitar”, mund t’i jepet bartësit të akredituar të arsimit të lartë, i cili ofron studime të doktoratës në së paku tri fusha të studimeve dhe që janë të akredituara nga AKA-ja. Kurse, po në bazë të këtyre dispozitave të këtij ligji, emërtimi “Universitet”, mund t’i jepet vetëm atij bartësi të akredituar të arsimit të lartë, që ka ofruar kurse apo programe të akredituara për së paku pesë vjet, në të paktën pesë fusha studimi, sikurse përcaktohet në akt nënligjor të Ministrisë dhe i cili ka nxjerrë të paktën nga një të diplomuar me doktoratë të akredituar në secilin nga këto programe studimi.
Përfaqësues të kolegjeve deklarohen se kanë aplikuar për akreditim dhe kanë punuar për të merituar hapjen e doktoratës, por në anën tjetër udhëheqës të agjencisë janë më të rezervuar pasi që konstatojnë se kolegjet kanë ende problem me sigurimin e stafit akademik të rregullt që të japin mësim në këtë nivel studimesh me orar të plotë.
Drejtori i Kolegjit “Fama”, Salal Ahmetxhekaj, ka thënë se mendon që janë pjekur kushtet që ky kolegj të quhet “Kolegj Universitar”. Tani, vetëm si kolegj, ai thotë se kanë plotësuar kriteret që lidhen me hapësirën dhe numrin e studentëve. Por, Ahmetxhekaj thekson se në këtë raund të akreditimit presin t’iu hapet rruga për “Kolegj Universitar”, për çka mendon se ka plotësuar dhe kushtet në përputhje me kriteret që kërkohen nga agjencia.
Ai tha se për t’ia arritur këtij qëllimi së pari i duhet të nxjerrë një gjeneratë të doktoratës, prandaj ka aplikuar me pesë programe të doktoratës. Pret që rezultatet e akreditimit, t’ia lejojnë të hapen këto studime sivjet, pasi mendon se ka bërë maksimumin që të gjitha kriteret e kërkuara t’i plotësojë për t’iu lejuar doktorata.
Nga ana e tij edhe kreu i Kolegjit “AAB”, Lulëzim Tafa, ka deklaruar se kanë aplikuar me tri programe të doktoratës në fushën e shkencave komunikative, juridikut dhe ekonomisë. Ai mendon se kanë punuar dhe plotësuar kriteret që kërkon agjencia për t’u akredituar këto programe.
Tafa thekson se ka pak rëndësi si quhet një institucion i arsimit të lartë privat, qoftë kolegj, kolegj universitar apo universitet. Sipas tij, më shumë ka rëndësi cilësia e studimeve që ofron, megjithëkëtë ai thekson se nuk do t’iu shkojë mundi kot si menaxhment sa janë angazhuar të kenë standarde studimi cilësore tash e sa vjet dhe se këtij institucioni do t’i lejohen programet e doktoratës, për t’iu hapur rruga që formalisht të marrin dhe titullin “Kolegj Universitar” dhe pastaj “Universitet”.
Megjithëkëtë, nga AKA-ja para rezultateve të akreditimit nuk duan të dalin me deklarata dhe të spekulojnë për gjendjen e institucioneve, por gjendja për të fituar studimet e doktoratës nga kolegjet shihet sidoqoftë si jo shumë shpresëdhënëse.
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë (KKC) në AKA, Ferdije Zhushi –Etemi ka thënë se mundësitë për t’u bërë kolegjet universitete janë minimale. “Nuk dua të spekuloj asgjë për asnjë institucion para rezultateve dhe pa u marrë vendimet.
Por, shumë institucione kanë konkurruar me doktorata dhe do të vlerësohen siç e meritojnë dhe në bazën e kritereve”, ka theksuar ajo për “Zërin”, pa mohuar një problem që i përcjell në vazhdimësi kolegjet, e që është mungesa e stafit akademik. Zhushi-Etemi ka bërë të ditur se brenga ende qëndron, sa i përket stafit të rregullt akademik me thirrje i asociuar dhe ordinar që duhet të mbajë këtë nivel të studimit, si profesor i rregullt, me orar të rregullt e të plotë, dhe që, sipas saj, kolegjet private nuk po arrijnë ta plotësojnë këtë kriter./Indeksonline/