Prishtina nuk pranon më shumë kompetenca sesa parasheh pakoja e Ahtisarit

Në Bruksel sot pritet të mbahet raundi i shtatë i bisedimeve në nivel kryeministrash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësues të institucioneve qendrore të Kosovës, thonë se Prishtina nuk do të pranojë më shumë kompetenca për asociacionin e komunave serbe sesa parasheh pakoja e Marti Ahtisarit.
Ata besojnë se në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, mund të ketë një marrëveshje të shkruar dhe sipas tyre kjo mund t’i jepte fund armiqësisë shekullore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, takohen sot në Bruksel për të shtaten herë më radhë. Sipas kryeministrit Thaçi, Prishtina zyrtare ka vullnet që të nënshkruaj marrëveshje. Nga pala serbe nuk është shfaqur vullnet që të nënshkruhet marrëveshje me Prishtinën, përderisa kjo e fundit sipas palës serbe nuk lëshon pe. Bekim Qollaku, këshilltar i kryeministrit Hashim Thaçi, shpjegon në vija të trasha për Radio Kosovën sesi mund të duket një marrëveshje Kosovë-Serbi.
“Një marrëveshje në formë të shkruar duhet të përmbajë të gjitha aneks-marrëveshjet që janë arritur deri më tash në fusha të ndryshme dhe normalisht në preambulllen e saj duhet t’i përmbajë disa parime bazë të cilat saktësojnë qëllimin e marrëveshjes dhe rezultatin e kësaj marrëveshje. Mirëpo gjëja me e rëndësishme që ndërlidhet me marrëveshjen dhe që mund të rezultojë në fund të këtij procesi është aneksi që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash dhe ju e dini sesa është e rëndësishme në praktikë implementimi i marrëveshjeve të arritura”, thotë Bekim Qollaku.
Prishtina zyrtare nuk është nën presion nga bashkësia ndërkombëtare që të pranojë dicka më shumë sesa parasheh pakoja e Marti Ahtisarit, lidhur me asociacionin e komunave serbe. Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes Jahjaga, i tha Radio Kosovës se presione nuk ka pasur dhe nuk ka, ndërsa, dialogu që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dialog i të barabartëve.
“Çdo marrëveshje ose edhe takim bëhet vetëm me pëlqimin e palëve. As Brukseli dhe askush nuk ka bërë presion mbi delegacionin e Kosovës për të pranuar diçka. Republika e Kosovës po zhvillon dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, si dy shtete fqinje, të pavarura dhe sovrane dhe për gjetjen e zgjidhjeve që lehtësojnë jetën e qytetarëve nga të dyja anët e kufirit”, thotë Arbër Vllahiu.
Sipas zëdhënësit Vllahiu, të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri tash janë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe çdo zgjidhje tjetër do të jetë në përputhje me këto akte. Pala serbe nga ana e saj, kërkon kompetenca shtese për komunat më shumicë serbe në Kosovë, gjë që refuzohet nga pala kosovare.
Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, thonë se vet fakti që mund të këtë një marrëveshje të shkruar nga dialogu Kosovë-Serbi, është një gjë shumë e mirë dhe kjo mund ti jepte fund armiqësisë shekullore që ka ekzistuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Indeksonline/