Kolegji: Argumentet përse e rrëzuam PS për pavlefshmërinë
Kolegji Zgjedhor zbardh vendimin për rrëzimin e kërkesës së PS-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë.Mesditën e djeshme, anëtarët e trupit gjykues kanë firmosur dokumentin prej nëntë faqesh, të arsyetuar, dhe ua kanë shpërndarë partive politike. Vendimi unanim përmban argumentet për dy kërkesa të PS-së që u bënë në seancën e së enjtes në Kolegjin Zgjedhor.
Pavlefshmëria
Kërkesa e parë e Partisë Socialiste kishte të bënte me pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë. Sipas socialistëve, KQZ-ja, pasi hapi 1800 kuti për të gjetur votat e hedhura gabim, nuk arriti të përmbushë detyrimin që i vuri Kolegji për të përputhur të gjitha shifrat. Në tabelën përfundimtare, sipas PS-së, rezulton se janë rreth 800 vota më shumë se numri i votuesve dhe problemet janë shënuar në 284 qendra votimi. Në përgjigje të kësaj kërkese të Partisë Socialiste, pesë anëtarët e Kolegjit janë shprehur se e drejta për të kërkuar pavlefshmëri partive u ka lindur pasi KQZ-ja nxori Vendimin 711, ku Basha rezultonte fitues i zgjedhjeve me 81 vota më shumë. “Kolegji konstaton se neni 123 dhe neni 160/2 i Kodit Zgjedhor kanë të përbashkët afatin 3-ditor të së drejtës për t’u ankuar apo për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në KQZ. Ky afat fillon nga dita e shpalljes së rezultatit nga KQZ. Paditësi nuk ka respektuar afatin për kërkimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, parashikuar në nenin 160 të Kodit Zgjedhor (që është 3-ditor) dhe ky afat nuk mund të zgjatet pasi është afat prekluziv. Në bazë të nenit 125, me titull ‘Llogaritja e afateve’ të Kodit Zgjedhor, që përfshihet në pjesën X të tij të titulluar ‘Ankimi në rrugë administrative i vendimeve të komisioneve zgjedhore’, pika 5, përcaktohet se ‘nuk mund të ketë rivendosje në afat’”, thuhet në arsyetimin e Kolegjit. Sipas trupës së gjyqtarëve, e drejta e partive për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në një zonë zgjedhore bie nëse kalon afati treditor i parashikuar në dispozitat e Kodit Zgjedhor. “E drejta për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve apo të korrigjimit të rezultatit në shkelje të dispozitave të neneve 123-160 të Kodit Zgjedhor, me kalimin e afatit 3-ditor sjell rënien në dekadencë të së drejtës së subjektit zgjedhor për të ushtruar ankim apo për të kërkuar pavlefshmëri”, thuhet më tej në vendim. Një nga argumentet e PS-së gjatë shqyrtimit të çështjes ishte fakti se Kolegji, teksa urdhëroi KQZ-në për të hapur 1800 kutitë ku ishin votat e hedhura gabimisht, rrëzoi njëkohësisht edhe tabelën e nxjerrë nga ky institucion, që shpallte fitues Lulzim Bashën. Për këtë argument, anëtarët e Kolegjit shprehen se “pretendimi i ngritur nga pala paditëse, se jemi para një rezultati të ri, të pasqyruar, në tabelën përmbledhëse të rezultatit përfundimtar, i shpallur me Vendimin Nr. 1158, datë 25.6.2011 të KQZ, nuk qëndron, pasi ky rezultat ka ekzistuar qëkur është dhënë Vendimi Nr. 711, datë 23.5.2011, duke u ndryshuar në fazat e mëtejshme të rinumërimit dhe të rivlerësimit të votave”. Si përfundim, lidhur me pretendimin e parë të PS-së, pesë gjyqtarët argumentuan se “zgjedhja e mbrojtjes ligjore për realizimin e të drejtave të çdo subjekti zgjedhor është një e drejtë legjitime e tyre, por nuk mund të zgjatet tej kufijve të lejuar të ligjit dhe në kundërshtim me dispozitat urdhëruese në Kodit Zgjedhor”.
Urdhërimi i Kolegjit
Kërkesa e dytë i Partisë Socialiste në seancën e së enjtes në Kolegj ishte që Gjykata të urdhëronte KQZ-në të merrte në shqyrtim ankimimin e saj për pavlefshmërinë në Tiranë. Në mbledhjen e 28 qershorit, KQZ-ja me katër vota pro vendosi të mos pranojë shqyrtimin e kërkesës së PS-së, pasi nuk është kompetente dhe është jashtë afatit. “I pabazuar është pretendimi tjetër i ngritur në kërkesëpadi ‘për detyrimin e palës së paditur të nxjerrë vendim’”, thuhet në arsyetimin e Kolegjit. Duke iu referuar nenit 145 të Kodit, sipas të cilit partitë mund t’i kërkojnë Kolegjit të urdhërojë KQZ-në të marrë vendim për një çështje, gjyqtarët u shprehën se në këtë rast Komisioni ka marrë vendim kur nuk ka pranuar ta shqyrtojë kërkesën ankimore. “Pala e paditur ka marrë vendim për ‘Mosshqyrtimin e çështjes’, për shkak të kalimit të afatit ligjor, në përputhje me nenin 130, pika ‘c’ e Kodit Zgjedhor. Ndërkohë, në referim të pikës 2 të nenit 145 të Kodit Zgjedhor, përcaktohet e drejta e subjektit zgjedhor të bëjë ankim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ. Në rastin tonë, KQZ, ndonëse nuk e ka shqyrtuar çështjen në themel për shkak të mosushtrimit të së drejtës së kërkimit për pavlefshmëri të zgjedhjeve brenda afatit 3-ditor, përsëri në zbatim të nenit 130 ai ka dalë me vendim”, thuhet në vendimin e arsyetuar. Në përfundim të këtij argumentimi theksohet se “në kushtet e ekzistencës së një akti administrativ, vendimit të KQZ, nuk mund të kërkohet detyrimi i palës së paditur të nxjerrë vendim, pasi ky vendim nuk ekziston”.
KODI
Neni 124
Çdo parti politike, pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-së, që cenojnë interesat e tyre të ligjshme brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit. Kundër vendimit të KQZ-së, të marrë sipas nenit 123 të këtij Kodi, mund të paraqitet ankim po në KQZ jo më vonë se 3 ditë nga shpallja e këtij vendimi.
Neni 160
Subjektet zgjedhore, brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit nga KQZ-ja ose, sipas rastit, KZAZ-ja, kanë të drejtë të kërkojnë në KQZ shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi. Kërkesa për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve duhet të përmbajë shkaqet ligjore, përshkrimin e rasteve të shkeljeve dhe arsyetimin e detajuar për pasojën e tyre.
Neni 125
Afatet që në këtë pjesë janë përcaktuar me orë llogariten duke përjashtuar orën në të cilën lind e drejta e ankimit ose detyrimi administrativ. Në të gjitha rastet kur afatet në këtë Kod llogariten me orë, organi administrativ i ngarkuar nga ky Kod është i detyruar të shënojë në aktin administrativ orën e shpalljes së aktit. Në rast të kundërt, afati llogaritet duke filluar nga ora 08:00 e ditës pasardhëse. Për afatet e ankimit, sipas kësaj pjese, nuk mund të ketë rivendosje në afat.
Neni 130
“KQZ-ja merr vendim për pranimin ose mospranimin e kërkesës ankimore, pasi verifikon elementet e mëposhtme: a) kompetencën e KQZ-së për shqyrtimin e ankimit; b) legjitimimin e ankuesit; dhe c) respektimin e afateve ligjore për ankimin”, thuhet në Kod.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor
Argumenti për pavlefshmërinë
Kolegji konstaton se neni 123 dhe neni 160/2 i Kodit Zgjedhor kanë të përbashkët afatin 3-ditor të së drejtës për t’u ankuar apo për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në KQZ. Ky afat fillon nga dita e shpalljes së rezultatit nga KQZ. Paditësi nuk ka respektuar afatin për kërkimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, parashikuar në nenin 160 të Kodit Zgjedhor (që është 3-ditor) dhe ky afat nuk mund të zgjatet, pasi është afat prekluziv. Në bazë të nenit 125, me titull “Llogaritja e afateve” të Kodit Zgjedhor, që përfshihet në pjesën X të tij të titulluar “Ankimi në rrugë administrative, i vendimeve të Komisioneve Zgjedhore”, pika 5 përcaktohet se “nuk mund të ketë rivendosje në afat”.
E drejta për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve apo të korrigjimit të rezultatit në shkelje të dispozitave të neneve 123-160 të Kodit Zgjedhor me kalimin e afatit 3-ditor, sjell rënien në dekadencë të së drejtës së subjektit zgjedhor për të ushtruar ankim apo për