Topalli – Molnari: “Statusi kandidat në fund të vitit, Shqipëria po progreson drejt BE-së”

“Hungaria do të vijojë të mbështesë Shqipërinë, në rrugën e saj të integrimit”.
Kështu u shpreh ambasadori i Hungarisë, në Tiranë Molnari në një takim që pati dje me kryetaren e kuvendit, Jozefina Topallin.
Në përmbyllje të mandatit të tij në Shqipëri, ambasadori i Republikës së Hungarisë Molnari, theksoi se është ndier i impresionuar, që gjatë mandatit të tij ka parë nga afër progresin e Shqipërisë që, duket dhe ndihet kudo.
“Gjatë këtij mandati Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, u liberalizuan vizat, Shqipëria po progreson drejt BE-së, ekonomia ka ecur shumë mirë”, u shpreh Molnari.
Ndërsa kryetarja e kuvendit, Topalli ka vlerësuar intensifikimin dinamik të marrëdhënieve të nivelit shumë të lartë mes dy vendeve, duke vlerësuar punën dhe kontributin e dhënë nga Ambasadori Molnari në forcimin e këtij bashkëpunimi. “Presidenca hungareze e BE-së, ishte një presidencë e suksesshme dhe i jemi mirënjohës vendit tuaj për vëmendjen dhe rëndësinë që i kushtoi Shqipërisë dhe Ballkanit, pohoi kryeparlamentarja Topalli.
Po ashtu ajo theksoi se ne vlerësojmë mbështetjen e Hungarisë e shprehur së fundmi përmes kryeministrit Orban se,“Shqipërisë, deri në fund të vitit, duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat, sepse, situata politike në të cilin ndodhet aktualisht vendi nuk e ka rrezikuar funksionimin e demokracisë”.