E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji: Votat e gabuara, hetim në të gjitha kutitë

Kolegji Zgjedhor zbardhi dje në mbrëmje argumentimin ligjor të vendimit të tij të marrë tri ditë më parë. Vendimi i Kolegjit iu nda partive politike të interesuara në këtë proces, Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, por dhe KQZ-së.Përmes këtij vendimi, Kolegji, ndër të tjera, i jep zgjidhje dhe një kërkese të Partisë Socialiste që kishte të bënte me mosrakordimin e votave të gjetura të kutitë e Tiranës dhe numrit të votuesve. Kolegji shprehet se procesi i rinumërimit dhe rivlerësimit të votave të hedhura gabim do të bëjë dhe përputhjen e tabelave përfundimtare.
Vetëm nëpërmjet këtij hetimi të plotë administrativ dhe verifikimit të lëvizjes së fletëve të votimit, objekt hetimi administrativ, nga një kuti votimi në tjetrën do të mundësohet zgjidhja e mospërputhjes së të dhënave në tabelën përmbledhëse dhe leximin e të gjitha votave, pavarësisht se për kë janë hedhur: kryetar bashkie, këshill bashkiak, kryetar njësie bashkiake apo këshill. Ky hetim duhet ti shërbejë zbatimit praktik të parimit të barazisë së votës dhe pasqyrimit të vullnetit të të gjithë zgjedhësve, thuhet në arsyetimin ligjor të vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Vendimi i Kolegjit, i arsyetuar në 21 faqe, është marrë unanimisht me 5 vota pro dhe asnjë kundër, edhe pse për marrjen e tij Kolegjit iu desh diskutim brenda trupës së gjyqtarëve prej më shumë se 5 orësh. Kolegji arsyeton pse duhet bërë ky hetim i kutive të votimit për Tiranën dhe çfarë parimesh ai synon të respektojë. Kolegji vlerëson se hetimi gjithëpërfshirës, i shtrirë mbi numërimin dhe vlerësimin e të gjitha votave të hedhura në kutitë e gabuara, pavarësisht se ku ndodhen ato dhe tabulimi i tyre në tabelën përmbledhëse, garanton barazinë e votës, shqyrtimin e barabartë dhe të njëtrajtshëm dhe leximin e vullnetit të shprehur të të gjithë zgjedhësve, thuhet në arsyetimin e Kolegjit. Përmes këtij arsyetimi i jepet përgjigje dhe shqetësimit të shprehur gjatë këtyre ditëve nga përfaqësues të KQZ-së, se i çfarë natyre do të jetë hetimi i fletëve të votimit i urdhëruar nga Kolegji Zgjedhor. Ky hetim i plotë do të kryhet në të gjitha kutitë e votimit, kutia e votimit për kryetarin e Bashkisë, Këshillin Bashkiak, kryetarin e njësisë bashkiake apo këshillin e njësisë bashkiake, dhe do të përfshijë fletët e votimit të hedhura jo në kutinë përkatëse, të veçuara qoftë në zarfet e fletëve të kontestuara apo të pavlefshme (pavarësisht nga vendndodhja e tyre, zarfi i fletëve të votimit të pavlefshme apo të kontestuara), procedurë kjo e ndjekur nga vetë KQZ për aq sa ajo ka hetuar. Rezultatet e vlerësimit të votave duhet të pasqyrohen në procesverbalet e mbledhjes së KQZ-së dhe në tabelat përkatëse, thuhet në vendimin e Kolegjit.
Diferencat
Në arsyetimin e tyre, të pestë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor vendosin parimin e barazisë në hetimin dhe vlerësimin e votave të konsideruara të pavlefshme apo të kontestuara. Hetimi administrativ nëpërmjet hapjes, këqyrjes dhe vlerësimit të të gjitha fletëve të hedhura jo në kutinë përkatëse, pavarësisht nga zarfi ku ndodhen (zarfi i fletëve të pavlefshme apo të kontestuara), pavarësisht faktit nëse ka apo jo shënime në librat e protokollit të KZAZ-ve që reflektojnë mosmarrëveshjet në vendimmarrje në lidhje me këtë fletë, i shtrirë në 117 kuti, tashmë duhet të shtrihet në diferencën e QV midis zonës së nënshtruar pjesërisht hetimit administrativ dhe pjesës së mbetur të QV në zonën zgjedhore të Bashkisë Tiranë, që përfaqëson 368 QV të patrajtuara më parë, ose dhe më gjerë, thuhet në vendimin e Kolegjit.
KQZ
Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, në unanimitet të plotë evidentojnë dhe shkelje të disa parimeve edhe kushtetuese nga ana e KQZ-së me vendimet e marra për numërimin e votave të hedhura gabim, e veçanërisht në një proces selektiv të bërë për hetimin e këtyre votave. Veprimi i KQZ-së vlerësohet nga Kolegji Zgjedhor si një veprim në shkelje të parimeve për një proces të rregullt ligjor që në zanafillë të tij ka mosrespektimin e parimit të barazisë dhe paanësisë, sanksionuar në nenin 42 të Kushtetutës dhe mishëruar në nenin 3, pika 2 të Kodit Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor vlerëson se nga pala e paditur, KQZ, nuk janë pasur parasysh dhe vlerësuar drejt garancitë ligjore të palëve gjatë procesit, kur është lejuar aplikimi i procedurave të ndryshme brenda një procesi zgjedhor të fokusuar në një KZAZ që ka në përfundim një tabelë përmbledhëse të rezultatit me mosrakordim shifrash, thuhet në vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Hetimi i KQZ-së, sipas anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, ka qenë i pjesshëm, ndërsa produkti i këtij hetimi ka sjellë mospërputhje në shifra. Nga Kolegji Zgjedhor, në analizë të kësaj situate juridike, vlerësohet se, në rastin konkret gjendemi përpara një hetimi të pjesshëm, i cili në vetvete ka prodhuar tabelë përmbledhëse me mospërputhje në lidhje me shifrat dhe që nuk pasqyron vullnetin e të gjithë zgjedhësve. Kjo tregon se hetimi administrativ i bërë nga KQZ është i paplotë, selektiv, që nuk trajton me të njëjtën procedurë rezultatin origjinal të 485 QV, shprehet Kolegji në vendimin e tij.
Procedurat
Gjithashtu, sipas Kolegjit, KQZ ka vepruar me procedura të ndryshme në zona të ndryshme zgjedhore, çka përbën një cenim të barazisë në një proces të rregullt zgjedhor dhe ligjor. Nga analiza e këtyre tabelave të administruara dhe të shqyrtuara si prova në shqyrtimin gjyqësor, rezulton se nga shpërndarja e votave të gjendura në kutitë e votimit të kësaj njësie kemi një mospërputhje që konsiston në faktin që votat e gjendura në kutitë e votimit të jenë në numër më të madh se numri i zgjedhësve që kanë votuar, duke cenuar parimin: një zgjedhës, një votë.  Gjendur para një mospërputhjeje të tillë matematikore dhe një situate juridike të trajtimit të procesit zgjedhor nga pala e paditur, KQZ, me procedura hetimi administrativ dhe standarde të ndryshme selektive, nga ku rezultati origjinal i 485 QV për 11 KZAZ-të e zonës zgjedhore përkatëse i është nënshtruar aplikimit të procedurave të ndryshme për pjesë të ndryshme të tabelës përmbledhëse të rezultatit, thuhet në vendimin e Kolegjit.
Në vijim të kësaj logjike, pesë anëtarët e Kolegjit shprehen se procedurat e ndjekura nga KQZ për të bërë hetimin e pjesshëm të 117 qendrave të votimit në Tiranë është bërë përmes veprimeve ekstraprocedurale. Në rastin konkret, gjendemi përpara një produkti, tabelës përmbledhëse të rezultatit, që nuk është produkt i ardhur nga kalimi i këtyre hapave proceduralë, por ekstraproceduralë dhe që në vetvete mbart një përfundim, ku nga leximi i së cilës rezulton se kemi mospërputhje ndërmjet numrit të fletëve të votimit dhe numrit të zgjedhësve, shprehen anëtarët e Kolegjit. Anëtarët e Kolegjit, në arsyetimin e tyre sjellin në vëmendje procedurat e ndjekura nga KQZ në vlerësimin e fletëve të hedhura gabim. Kolegji çmon se statusi i këtyre fletëve, të cilat nuk janë kontestuar më parë, pasi me konsensus janë trajtuar më parë si të pavlefshme, të konsiderohen si fletë të kontestuara e panumëruara më parë. Këtë qëndrim ka mbajtur KQZ ku në Vendimin Nr. 709 i ka konsideruar të gjitha vlerësimet dhe vendimet e GN-ve e KZAZ-ve për këto fletë të hedhura në kutitë e gabuara duke i bërë këto fletë pa një status të përcaktuar qartë ligjërisht, duke i dhënë statusin e fletëve të kontestuara dhe të pa numëruara më parë, shprehet Kolegji.

Vendimi i dates 13 qershor i Kolegjit

1-Pranimin e pjesshëm të kërkesës së paditësit Partia Socialiste.

2-Anulimin e Vendimit Nr. 827, datë 2.06.2011 të KQZ për pikat 2 dhe 3 të tij, që bëjnë fjalë për rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 161 dhe 162 të subjektit Partia Socialiste.

3-Anulimin e Vendimit Nr. 710, datë 23.05.2011 të KQZ-së dhe Vendimit Nr. 711, datë 23.05.2011 të KQZ-së.

4-Urdhërimin e palës së padit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›