E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto Mesazhet e Brukselit te qarta politika te respektoje ligjin

Lidhur me vizitën e fundit në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme Haxhinasto, ka deklaruar para mediave se “mesazhet ishin të qarta: Politika shqiptare të respektojë ligjin”.

“Ajo që kemi ndarë dhe kemi gjetur mirëkuptim të plotë është se pikërisht tani është momenti kur të gjitha palët duhet të respektojnë institucionet e pavarura, duhet të respektojnë vendimin e gjykatave dhe më tej të vazhdojnë me të gjithë detyrimet e tjera që kanë forcat politike për sa i takon procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Duke shtuar se ai ka pasur edhe një bisedë telefonike me z. Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, ku në mënyrë shumë të qartë i referohet të ardhmes, pra kohës kur Shqipëria do të realizojë një reformë zgjedhore për të saktësuar më tej çështje që dikujt mund t`i jenë dukur të pa qarta në legjislacionin ekzistues.

“E theksoj dhe një herë që z.Jagland i referohet të ardhmes, kështu është shprehur dhe në letër dhe ai thjesht ofron të gjithë ekspertizën e Komisionit të Venecias për sa i takon draftimit dhe amendimit të legjislacionit ekzistues.

Është e rëndësishme të thuhet që kjo ofertë është bërë në mënyrë publike nga ana e kësaj mazhorance, për Komisionin e Venecias, rreth një vit më parë kur i është bërë thirrje dhe opozitës aktuale që të përgatisë gjithë amendimet e kodit, i është kërkuar që këto të çertifikohen me ekspertët e ODIHR-it ose të Këshillit të Evropës dhe më pas ato do të adaptoheshin dhe do të miratoheshin si amendime të këtij kodi nga ana e mazhorancës.

Kjo nuk ndodhi për arsye që tashmë dihen dhe sigurisht që nuk është faji i kësaj mazhorance”, shtoi ai.

Në fund, Haxhinasto shtoi se “ajo që është e rëndësishme dhe çfarë vjen nga thirrjet që bën BE-ja, të gjithë institucionet e tij, qoftë Këshilli, Parlamenti apo qoftë Komisioni, është që në Shqipëri të respektohet logjika demokratike, të respektohet logjika e institucioneve të pavarura, të presim vendimet e gjykatave, të angazhohemi për procesin e integrimit te vendit, të plotësojmë detyrimet që kemi për sa i takon dymbëdhjetë prioriteteve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›