Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e PS për Beratin. S'ka rinumërim
TIRANE - Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë ka rrëzuar sot pasdite kërkesën e Partisë Socialiste për rinumërim të votave në KZAZ-në nr.1 dhe rivlerësim të votave në KZAZ-në nr 2 dhe 3 në qarkun e Beratit.
Kolegji Zgjedhor e cilësoi të pabazuar në ligj kërkesën e PS-së. Për të njëjtën arsye ky Kolegj hodhi poshtë dhe kërkesën e G99 për rezultatet zgjedhore në qarkun e Beratit.
Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë shqyrtoi për 3 orë ankimimin e Partisë Socialiste dhe të G 99 për rezultatet zgjedhore në Qarkun e Beratit. Objekt i dy ankesave është kontestimi i vendimit të KQZ-së të datës 13 korrik 2009 lidhur me tabelën përmbledhëse të rezultateve të këtij qarku, duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të votave të pavlefshme.
Relatore e çështjes ishte gjyqtarja Dhurata Haveri, e cila shqyrtoi dhe ankimimin e PS-së për Fierin të shqyrtuar dje nga Kolegji Zgjedhor. Partitë politike që janë ankuar zyrtarisht pranë Kolegjit me kërkesat e tyre janë: Partia Demokratike, Partia Socialiste, Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe Partia Konservatore. Këto subjekte kontestojnë vendimet e KQZ-së lidhur me rezultatet e disa KZAZ-ve në Qarqet e Fierit, Beratit, Tiranës dhe Shkodrës.