Rama: KRRTRSH masakron Tiranën, ndërtime nga klani qeveritar
TIRANË- Lideri socialist, Edi Rama ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha se me vendimet e djeshme të Këshillit të Rregullimit të Territorit po masakron Tiranën. Ai u shpreh i vendosur për të penguar grabitjen qeveritare. "Vendimet e djeshme janë një arsye për t'i rezistuar klanit në pushtet, qe po tenton të plaçkisë të gjithë pasurinë e përbashket dhe ta kthejë Shqiperinë, në një skenë të mbyllur, ku pushteti i parase dhe abuzimit, fiton pavarësisht se si voton qytetari", tha Rama.
Ai ka argumentuar se e gjithë Tirana është 3500 ha, KRRTRSH-ja dje ka marrë një vendim për ndërtime në 2700 ha sipërfaqe, pra sa 80 për qind e kryeqytetit dhe gjithë kjo në përgjatë rrugës Tiranë-Durrës në Bashkinë e Vorës, në Bërxullë dhe Pezë. "Berisha mban të kyçur Planin Rregullues të Tiranës që parashikon shtrirjen e metropolit përtej kufinjve të tanishëm", tha kreu i PS-së, Edi Rama.
Me këtë veprim qytetarëve iu përvetësuan 75 ha gjelbërim që janë frymëmarrja e kryeqytetit, duke e zënë me ndërtesa gjithë kurorën e qytetit. Po dje KRRTRSH-ja miratoi ndërtesa 5-7 kate në fshatin Selitë që masakron gjithë kodrat e Liqenit Artificial. Oreksi i papërmbajtur i oborrit kryeministror për të futur në thesin e vet gjithë pasurinë e qytetarëve vendosi për ndërtesa përgjatë rrugës së Rinasit në një hapësirë prej 234 ha.
"Këto që përmenda janë 1/3 e vendime të turpshme të djeshme të KRRTRSH-së me kryetar Sali Berishën. Në ditët në vijim do të tregojmë për gjithë aktet e turpshme të klanit në pushtet", u shpreh Rama.