E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor shqyrton sot ankimet e PS dhe LSI në Shkoder e Kukës

TIRANË- Kolegji Zgjedhor pritet të marrë sot një vendim për kërkesat ankimore të Partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun e Shkodrës dhe për qarkun e Kukësit.

Kolegji shtyu dy ditë më parë ankimimin e PS-së për Shkodrën, pas kërkesës së Partisë Republikane, duke vendosur për shqyrtimin me themel të çështjes ditën e sotme. PS, në ankesën e saj, kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ-së për rinumërim të votave të qarkut Shkodër. Kjo e fundit përmbylli të enjten procesin e rinumërimit për gjithë ZAZ-të e këtij qarku, nga ku nuk u konstatuan parregullsi që të çonin në ndryshimin e raportit të mandateve.

Ndërsa dje, Kolegji shtyu për sot, vendimin për ankimin që Lëvizja Socialiste për Integrim bëri për rezultatin në qarkun e Kukësit, ku kjo forcë politike pretendon se i është marrë padrejtësisht një mandat deputeti të fituar nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013.

Relatori Valbon Çekrezi urdhëroi sekretarinë që të marrë nga dy ekspertët Ardian Pollo (LSI) dhe Zamir Hoxha (PD) aktet e ekspertimit dhe t’ua vërë ne dispozicion palëve.

Bëhet fjalë për një ekspertim të kryer në pamjet filmike gjatë procesit në numërimit të votave në 15 kuti. Si provë më të fortë, LSI paraqiti pamjet filmike të 15 qendrave të votimit në qarkun e Kukësit, ku tregohej mospërputhja e numrit të votave me rezultatin e tabelave përmbledhëse.

LSI pretendon se ka prova që nxjerrin në pah numërimin e gabuar të votave në kutitë e qarkut Kukës, ndërsa asaj i duhet vetëm 15 vota për të marrë një mandat në këtë qark. Nga ana tjetër LSI pretendon se ka 155 vota më shumë në Qarkun e Kukësit. Fillimisht u fol për një ndarje mandatesh dy me dy mes koalicionit të djathtë dhe atij të majtë. KQZ më pas korrigjoi tabelat dhe e ndryshoi rezultatit 3 me 1 në favor të Partisë Demokratike.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›