E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor, sot betimi para Presidentit Topi

Betohen sot para Presidentit të Republikës Bamir Topi tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të cilët do të merret me shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike gjatë procesit për zgjedhjet e reja parlamentare. 

TIRANE- Tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, që do të shqyrtojnë ankesat e subjekteve politike apo kandidatëve për deputetë, të cilët mund të kontestojnë rezultatin e zgjedhjeve të reja parlamentare të 28 qershorit 2009 do të bëjnë sot betimin para Presidentit të Republikës. Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjodhi dje nëpërmjet hedhjes së shortit me gogla. Gjyqtarët Dhurata Haveri, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi, Sashenka Jonuzi, Meriban Mullaj, Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço u përzgjodhën si pjesë e trupës së Kolegjit Zgjedhor. 
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë mbledhjes së djeshme të KLD-së u kërkoi partive politike të punojnë për garantimin e një procesi të qetë zgjedhor. “Zgjedhjet politike të vitit 2009 konsiderohen më të rëndësishmet e periudhës së re demokratike në Shqipëri për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij tranzicioni, i cili sikurse ju e dini fare mirë, ka qenë i mbushur me zgjedhje, me kontestime, me implikime të karakterit ligjor, pa diskutim dhe të kolegjeve zgjedhore të sistemit të drejtësisë. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme që këto zgjedhje të zhvillohen në një klimë të qetë, këto zgjedhje të jenë në funksion të qytetarit”, - tha kreu i shtetit. 
Shorti për pëzgjedhjen e gjyqtarëve të Apelit për përbërjen e Kolegjit Zgjedhor u bë në praninë e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, Republikane, Socialiste dhe Socialdemokrate. Kolegji Zgjedhor, do të merret me shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike gjatë procesit për zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 qershor 2009.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›