Qeveria hedh poshtë akuzat e opozitës për Regjistrin Kombëtar
TIRANE- Pas pretendimeve të Partisë Socialiste në lidhje me ecurinë e procesit të paisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike, Ministria e Brendshme ka reaguar me anë të zëdhënësit Fatmir Konja duke deklaruar se gjithçka po ecën sipas planit kalendarik dhe parashikimeve për procesin.
Kështu Konja ka hedhur poshtë pretendimet e Partisë Socialiste në lidhje me ecurinë e paisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike.
Ministria e Brendshme ka siguruar qytetarët se Partia Socialiste nuk ka shifra të sakta në lidhje me numrin e shtetasve që figurojnë të dubluar në Regjistrin Kombëtar.
“Numri i shtetasve që figurojnë të dubluar në regjistër është 50 392 dhe jo 100 mijë, siç u deklarua në selinë e Partisë Socialiste”-ka deklaruar Konja për gazetarët.
Ndërkohë ai ka bërë të ditur se puna për pastrimin e dublikimeve vazhdon pandërprerje dhe do të përfundojë brenda tri javësh. Sipas Konjës formati elektronik i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, siguron një numër të veçantë identifikimi për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë.
(e.n/Balkanweb)