E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji Zgjedhor zbardh vendimi: Asnjë shkelje në shpalljen e fitores së Bashës

09-06-2011 / Gazeta 55

Instanca finale e administrimit të zgjedhjeve zbardh në 19 faqe vendimin që rrëzon pretendimet e PS-së, lidhur me pavlefshmërinë e aktit të KQZ, mbi të cilin u numëruan votat e hedhurave në kutitë e tjera. Vendimi i shpallur nga Kolegji Zgjedhor nuk lë mundësi për interpretim dhe arsyeton se vendimi i KQZ-së nuk është akt normativ, por individual dhe si i tillë nuk ka nevojë për një kuorum prej 5 votash


Kolegji Zgjedhor i Apelit lë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpall Lulzim Bashën fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës me 81 vota më shumë. Me zbardhjen e vendimit të djeshëm, lidhur me kërkesë-padinë e Partisë Socialiste për të shpallur të pavlefshëm vendimin e KQZ-së të datës 23 maj, Kolegji Zgjedhor i jep fund pretendimeve të socialistëve, duke i konsideruar ato si të pabaza si dhe jep bashkangjitur arsyetimin se Komisioni Qendror i Zgjedhje ka vepruar në përputhje me ligjin.


Me vendimin e zbardhur dje pasdite, ndërsa kërkesa e socialistëve ishte rrëzuar javën e kaluar më 3 qershor me 5 vota „pro“, Kolegji Zgjedhor argumenton arsyet e rrëzimit të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste që kërkonte shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së për vlerësimin e fletë-votimeve të pa-numëruara për kryetarin e bashkisë Tiranë, të hedhura në kutitë e gabuara. Vendimi i përmbledhur në 19 faqe dhe i nënshkruar nga pesë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, arsyeton se pretendimet e ngritura nga PS janë të gjitha të pabazuara në ligj dhe si të tilla duhet të rrëzohen.


„Pretendimet e palës paditëse, Partisë Socialiste, janë të pabaza. Vendimi i KQZ-së ka rregulluar një mos marrëveshje të lindur në fazën e numërimit“ - thuhet në vendimin e zbardhur të Kolegjit.


Sipas këtij dokumenti, akti i miratuar nga KQZ, është i ligjshëm dhe korrekt dhe ai nuk është një akt normativ, sikurse cilësohet në padinë e PS-së, por një akt individual. Kështu që nuk janë të nevojshme 5 vota për miratimin e tij.


„Akti i KQZ-së, sipas Kolegjit, nuk shtrihet në të gjithë vendin“- thuhet në vendimin e Kolegjit. Sipas tij, KQZ është bazuar në ligj dhe nuk i ka tejkaluar kompetencat sikurse pretendon PS. „Vendimi i KQZ është i mbështetur në kodin e procedurave administrative. Vendimi i KQZ nuk është akt normativ që kërkon 5 vota, por individual dhe KQZ nuk ka vepruar në tejkalim të kompetencave për votat e gabuara“- thuhet më tej në argumentet e parashtruara nga trupa e Kolegjit.


Gjithashtu, Kolegji e çmon të pabazë pretendimin tjetër të palës paditëse, PS, se KQZ ndryshoi rregullat e lojës pas zhvillimit të procesit zgjedhor.


„KQZ nuk ka normuar rregulla të reja sjelljeje, por ka zgjidhur një situatë të re të pa-trajtuar më parë dhe e krijuar në një moment të caktuar post-zgjedhor“- vijon vendimi i Kolegjit zgjedhor të zbardhur pasditen e djeshme.


Tashmë Kolegji ia ka përcjellë sekretarisë vendimin për t’iu dorëzuar më tej palëve të interesuara për të, ku shprehet për rrëzimin e kërkesës së socialistëve si të pabazuar në ligj. Kolegji ka në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku sipas tij, kandidati i djathtë Lulzim Basha ka dalë fitues me 81 vota më shumë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›