E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ shpall sot rezultatin zyrtar të zgjedhjeve

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë sot (e hënë) rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, që shënon dhe çertifikimin zyrtar të 140 mandateve në Parlamentin e ri shqiptar.
Sipas burimeve nga KQZ, pas përmbylljes dje nga Kolegji Zgjedhor të shqyrtimit të ankimimeve të subjekteve politike, të cilat nuk sollën asnjë ndryshim thelbësor në vendimet e Komisionit zgjedhor, KQZ pritet të deklarojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, gati 30 ditë pas zhvillimit të tyre.
Në mbledhjen e së hënës, KQZ pritet të miratojë vendimet për shpalljen e mandateve për tre qarqet e fundit, përkatësisht Fierin, Shkodrën dhe Tiranën, proces që do të finalizohet me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve 2009. Pas mbledhjes, pritet që Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, të ketë një komunikim me mediat për procesin elektoral të 28 qershorit.
Deri tani, KQZ ka shpallur 81 mandate, ndërsa pritet të miratojë dhe 59 mandate të tjera, përkatësisht 32 në Qarkun Tiranë, 11 në Qarkun Shkodër dhe 16 në Qarkun Fier.
Detyrimi për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve është parashikuar në pjesën e tretë të Kodit Zgjedhor, në nenin 167 të tij, ku thuhet se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore.


************************

24 korrik
Kolegji Zgjedhor rrëzon ankesat e partive për Shkodrën dhe Tiranën

TIRANË (UPDATE) - Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ankesat e partive edhe për qarqet e Tiranës dhe Shkodres. Gjatë seancës së fundit nuk u vlerësua si i drejtë ankimimi i paraqitur nga Partia Socialiste për vendimin e ndërmjetëm të 6 KZAZ-ve të Qarkut Tiranë.

Objekt i ankesës së PS-së ishte kontestimi i vendimeve të tabelave të rezultateve në KZAZ-të me nr. 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60, pasi votat për subjektin e tyre nuk janë vlerësuar drejt dhe për këtë kërkonin rinumërim e rivlerësim për disa qendra votimi në qarkun më të madh të vendit. Pas dëgjimit të kërkesë-padisë nga përfaqësuesit ligjorë të PS-së, gjyqtarët e Kolegjit janë tërhequr, duke dalë më pas me vendimin për ta rrëzuar këtë ankesë.

Dy orë më parë Kolegji mbylli edhe çështjen e Shkodrës, ku vendosi për të mos rinumëruar votat, duke rrëzuar në këtë mënyrë ankesën e Partisë Socialiste që kishte kontestuar vendimin e KQZ-së për këtë qark. Po kështu Kolegji hodhi poshtë gjate kesaj seance edhe ankesat e PD dhe PDK për pavlefshmëri në disa qendra votimi në qarkun e Shkodrës.

Trupi gjykues i këtij Kolegjit pranë Gjykatës së Apelit deklaroi se kërkesat e tre subjekteve politike janë të pabazuara në ligj dhe prova. Në këtë mënyrë rezultati i votimeve dhe mandateve për qarkun e Shkodrës mbetet i pandryshuar.

Partia Socialiste kërkonte shqyrtim të gjithë tabelave te rezultateve të KZAZ-ve të qarkut Shkodër, pasi sipas këtij subjekti ka patur parregullsi gjatë numërimit te votave dhe plotësimit të tabelave nga ana e komisionerëve. Partia Demokratike nga ana e saj kërkonte që të përfshiheshin në tabelat e rezulateve përfundimtare të Shkodrës edhe qendrat e votimit 0211 dhe 0342.

Shqyrtimi i këtyre ankesave shënon dhe përmbylljen e kësaj faze në Kolegj, që i hap më pas rrugën certifikimit nga KQZ të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Një ditë më parë trupa gjyqësore e Kolegjit rrëzoi ankesën e PD-së dhe të PDI-së për Qarkun e Fierit, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së. Po kështu Kolegji ka rrëzuar edhe ankesën e PS-se për Beratin.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›