Masakra në Vlorë, arrest me burg 18-vjeçarit
Gjykata e Vlorës ka dhënë sot masën e sigurisë arrest në burg për 18-vjeçarin Leo Osmëni, arrestuar si bashkëpunëtor i masakrës së Vlorës, që la tre viktima të pafajshme, jo objekt i sulmit.
Osmeni u arrestua një ditë pas ngjarjes dhe deklaroi në polici se shkak për ngjarjen u bënë 5 djem fierakë me të cilët kishte pasur një zënkë.
Gjithashtu, Policia e Vlorës ka ndaluar dje edhe dy pronarët e lokalit ku ndodhi masakra Sajmir dhe Servet Qamo, të cilët akuzohen për moskallëzim të krimit.
Ngjarja e rëndë që trondi gjithë opinionin publik u shënua rreth orës 16:00 të së djelës në një plazh privat në bregdetin e Vlorës.
Një person hapi zjarr me kallashnikov në mes të plazhit dhe për pasojë gjetën vdekjen 34-vjeçari Sokol Isufaj nga Fieri, Diana Ademi, 53 vjeçe nga Vlora si dhe 17-vjeçari Serdi Bajlozi nga Prrenjasi të cilët janë ndodhur rastësisht në vendngjarje.