Kolegji rrëzon PS: Basha kryebashkiak i Tiranës
Trupi gjykues rrëzoi kërkesë-padinë për pavlefshmërinë e vendimit nr.709 të KQZ dhe pushoi kërkesën për anulimin e vendimeve të ndërmjetme
TIRANË- Kolegji Zgjedhor ka vendosur dje rrëzimin e kërkesë-padisë së bërë nga Partia Socialiste, për shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit numër 709, datë 23 maj 2011 të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kryetari i trupit gjykues Tom Ndreca ka lexuar pas orës 21:00 të darkës vendimin e marrë nga Kolegji, ndërsa deklaroi se pushohet edhe gjykimi i çështjes me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme nga pala e paditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, duke e çuar situatën paszgjedhore në një tjetër pikë. Bazuar mbi këtë vendimmarrje mbetet në fuqi numërimi dhe tabela e miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që e njeh kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha, si fitues të garës për Bashkinë e Tiranës. Ekspertët thonë se nuk ekzistojnë shanse për të ndryshuar më tutje vendimmarrja dhe fituesi i zgjedhjeve të 8 Majit në kryeqytet. Baza e argumenteve në të cilat socialistët mbështetën kërkesën e tyre ishte e trajtës procedurale dhe përmbajtjes. Kështu, në kërkesën e tyre disafaqëshe, juristët e PS-së argumentonin se vendimi nr.709 i KQZ, nëpërmjet të cilit bëhet përmbyllja e procesit të numërimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara, është një akt normativ që duhet të miratohej me 5 vota. Sipas PS-së, ky vendim ka natyrë normative, pasi është miratuar në parim, nen për nen dhe në tërësi, tre elementë që e bëjnë atë të një natyre të veçantë dhe që kërkon 5 vota për t’u miratuar. Për pasojë, Partia Socialiste kërkonte që vendimi i datës 18.05.2011, si dhe të gjitha vendimet e ndërmjetme apo veprimet e tjera administrative, të kryera përpara miratimit të tij, të konsiderohen të pavlefshme dhe, për rrjedhojë, të mos mund të prodhojnë asnjë pasojë juridike. Përballë padisë së PS-së, avokatët e kandidatit Basha mbronin idenë se votat e hedhura gabim janë vota që qytetarët i kanë marrë nga komisioni i qendrës së votimit, por mbi të gjitha Kodi Zgjedhor nuk ka asnjë parashikim për votën e hedhur gabim. Duke iu referuar interpretimit të nenit të Kodit Zgjedhor, mbi pavlefshmërinë e fletëve të votimit, ekspertët pretendonin se nëse vota është hedhur në kutinë e gabuar, nuk mund të jetë e pavlefshme. Një argument tjetër i ekspertëve ligjorë, pro votave të hedhura në kutitë e gabuara, ishte edhe neni 45 i Kushtetutës, pika 4, thotë se vota është vetjake, e lirë, e barabartë, sekrete. Ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë dhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkuan nga Kolegji Zgjedhor të vepronte në zbatim të ligjit, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.