E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Sot jam i lumtur! të presim me qytetari çertifikimin

Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, komunikoi dje me median dhe simpatizantët në orët e vona të natës. “Para pak orësh, Kolegji Zgjedhor mori një vendim të rëndësishëm, duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të numëruar çdo votë”, u shpreh Basha. Ai insistoi se kërkon të pritet certifikimi i rezultatit final dhe në respekt të plotë të tij shprehu dëshirën të thoshte vetëm pak fjalë. “Sonte jam shumë i lumtur sepse e gjitha ka pasur një motiv, dëgjimin e zërit të qytetarëve sepse askush nuk mund të mos dëgjojë zërin tuaj. E gjithë kjo betejë ishte për të thënë se zëri juaj të dëgjohet”, nënvizoi Basha. Më vjen shumë mirë, tha ai, që çdo votë u numërua në rregull sipas parimeve të demokracisë, ligjit dhe Kushtetutës. Basha këmbënguli se procesi i numërimit të votave për kreun e Bashkisë së Tiranës u krye me një transparencë të admirueshme e të panjohur deri më sot. “Kjo është fitorja më e madhe. Falënderoj të gjithë qytetarët, nëse votuan për mua apo jo, për detyrimin dhe qytetarinë me të cilën po presin përfundimin e këtij procesi”, u shpreh Basha. Duke respektuar të drejtën tuaj legjitime për të festuar, shtoi ai, ju bëj thirrje të dëshmoni durim e qytetari, respekt për ligjin dhe institucionet, deri në përfundimin dhe certifikimin final të këtij rezultati. Pas fjalimit të shkurtër, kandidati Basha ka preferuar të lërë simpatizantët të vazhdojnë festën, për të pritur deri në fund certifikimin e rezultatit nga organet kompetente. Të njëjtin reagim, zoti Basha e bëri edhe pas marrjes së vendimit prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kur tha se do të priste të shprehej Kolegji Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›