E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji rrezon PS. Te premten vendoset per kryebashkiakun

 I janë dashur 30 minuta trupes gjyqsore të Kolegjit Zgjedhor për të vendosur të rrëzojë ankesën e parë të Partisë Socialiste. Juristët e selisë rozë kërkonin shpalljen nul të tabelës së rezultatit të njësisë 5, por dhe të tabelës përfundimtare të Tiranës. Po ashtu PS i kërkonte Kolegjit të detyronte KQZ-në te miratonte një tabelë të re rezultati, shumatore të rezultatit te11 KZAZ-ve, por pa votat e rinumëruara. 
Tabela e njësisë 5 e cila mbylli dhe numërimin për Tiranën u ankimua në gjykatën e zgjedhjeve nga të majtët në 16 maj, pasi ishte firmosur vetëm nga 3 prej 7 komisionerëve të KZAZ-së.

Ndërsa KQZ e miratoi rezultatin e kësaj njësie dhe atë të kryeqytetit në total në 23 maj, jashtë kompetencave ligjore sipas PS-së, pasi tashmë çështja ishte në tagër të gjykatës. Një shkelje tjetër e institucionit qëndror të menaxhimit të zgjedhjeve, e pretenduar nga selia rozë ishte dhe tejkalimi I afatit 2 ditor, për të shpallur rezultatin e Tiranës, pas grumbullimit të procesverbaleve të rezultateve të të gjitha minibashkive. 

Tabela e miratuar nga KQZ për PS-në nuk ishte rezultati i vertetë, për këtë arsye KQZ duhej detyruar të nxirrte nje tjetër. Ndonëse Kolegji nuk e pa me vend një gjë të tillë, selia rozë, deklaron se beteja nuk ka përfunduar ende.

”PS ka paraqitur kërkesë tjetër në Kolegj që ka të bëjë me atë akt të paligjshëm të karakterit normative që ka legalizuar të gjithë këto veprime te paligjshme që ka kryer KQZ. kolegji ishte në pozicion që dhe sot të mund të jepte drejtësi. Akoma shpresoj, por Kolegji duhet të ngrihet përtej interesave partiake apo influencës partiake sepse të gjithë po e kërkojnë këtë. Fatet e Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare realisht varen nga puna e ndërgjegjshme e këtyre njerëzve. Shpresoj që ata të kuptojnë rëndësinë dhe peshën që ka vendimi i tyre në këto momente që po kalon Shqipëria” tha deputeti i PS, Damjan Gjiknuri.

Deputetë dhe ekspertë të të 2 krahëve, hartues të kodit zgjedhor, ishin të pranishëm në seancë.

Megjithatë do të jetë paraditja e së premtes ajo e cila do të vendosë se cili do të jetë kryebashkiaku i Tiranës. Kolegjit I duhet të shpallë të ligjshme ose jo praktikën e ndjekur nga Ristani për të rinumëruar votat dhe si rrjedhojë cilin prej rezultateve të marrë të mirëqenë, atë Rama + 10 apo Basha + 81. 

Elona Gjylmi Azhornuar së fundi ( e premte , 27 maj 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›