Kolegji zgjedhor vendos sot për ankimimin e PS-së

Kolegji zgjedhor pritet të shqyrtojë sot në orën 10:00 ankimimin e Partisë Socialiste e cila përveç kthimit të çështjes në Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve kërkon edhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 284 qendrat e votimit në kryeqytet.
Ndërkohë në seancën e djeshme përfaqësuesi ligjor i PS, Damian Gjiknuri argumetoi se PS ishte brenda afatit ligjor për të kërkuar pavlefshëmri të zgjedhjeve.
Sipas tij, në fuqi për rezultatin e Tiranës është vendimi 1158 i KQZ që shpalli fitues Bashën me 93 vota para dhe jo vendimi 711 i këtij intitucioni, i cili u vlerësua nga KQZ si baza mbi të cilin duhet të ishte kërkuar pavlefshmëria nga PS.
Nga ana tjetër, avokati Eridian Salianji, dha shembuj për manipulimin e zgjedhjeve në 284 qëndra, siç pretendon PS. Nisur nga kjo, socialistët kanë shkuar edhe më tej, kur nëpërmjet Gjiknurit i kanë kërkuar Kolegjit, gjykim në themel, që nënkupton shpalljen e pavlefshmërise së zgjedhjeve.
Ndërkohë demokratët kanë kundërshtuar këtë kërkesë, bazuar në nenin 6 të kodit të procedurës civile ku argumentohet se Kolegji mund të shprehet vetëm për objektin e ankimimit të paditësit. Avokati i PD-së, Ivi Kaso, i cilësoi pretendimet e socialistëve për pavlefshmëri, jashtë çdo afati.
Edhe KQZ, si palë e paditur, rikonfirmoi mungesën e kompetencës dhe tejkalimin e afateve si argumentat mbi të cilat në 28 qershor refuzoi të shqyrtonte kërkesën e socialistëve.
Ndërkohë sot në orën 10.00, relatorja e çështjes, Sashenka Jonuzi do të lexojë vendimin që ka marrë trupi gjykues, për këtë ankimim të socialistëve, për zgjedhjet në Tiranë.