Brukseli: “Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat, debatet politike nuk mund të cenojnë integrimin”

Kryeministri hungarez u ka dërguar një memorandum homologëve të tij të bllokut 27 anëtarësh, duke kërkuar që Shqipërisë, deri në fund të vitit t’i jepet statusi i kandidatit. Në dokumentin e përcjellë nga Viktor Orban, thuhet se debatet e brendshme politike nuk duhet të cenojnë perspektivën evropiane të Shqipërisë. Apeli mbështetet edhe nga presidenca aktuale e Polonisë
Kryeministri i Hungarisë, vendi i të cilit kishte kryesimin e radhës të BE-së në 6 muajt e parë të këtij viti, Viktor Orban, u ka dërguar një memorandum liderëve të vendeve tjera të Bashkimit Evropian, me të cilin kërkon një ri-angazhim më të fuqishëm në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbështet nisjen e dialogut për liberalizim të vizave me Kosovën. Në këtë letër, veçanti për Shqipërinë, Orban ka theksuar se edhe Shqipëria meriton të marrë statusin e vendit kandidat. “Shqipërisë, deri në fund të vitit, do të duhet t’i jepet statusi i kandidatit, sepse debatet e tashme politike, nuk e kanë rrezikuar funksionimin e demokracisë në Shqipëri”, u shpreh kryeministri hungarez, Orban. Ndërkohë shkruan Orban, duke iu referuar rajonit, Kosova nuk mund të mbetet vrima e zezë e hartës së Evropës. “Nuk mund të mbeten vrima të zeza në hartën e Evropës dhe për këtë kemi nevojë të forcojmë perspektivën evropiane të Kosovës. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo është posaçërisht e vështirë për arsyen se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën. Por, ne mund të bëjmë progres në fushën, siç është adoptimi i një udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave”, tha kryeministri hungarez. Sipas kryeministrit të vendit që deri më tash kishte kryesimin e radhës të BE-së, pozita gjeografike e vendeve të Ballkanit Perëndimor bën që integrimi i këtyre shteteve në BE të mos jetë vetëm një zgjerim i thjeshtë i Bashkimit Evropian, por më shumë kompletim i një pune të papërfunduar të ribashkimit të Evropës. Hungaria i dorëzoi më 1 korrik Polonisë, presidencën 6-mujore të Bashkimit Evropian. Polonia, vendi anëtar i Bashkimit Evropian, i cili pak ditë më parë prezantoi prioritetet e presidencës së ardhshme, la një porosi të qartë për zgjerimin e Unionit drejt vendeve të ballkanit Perëndimor. Posaçërisht për Shqipërinë porosia e Brukselit është vazhdimi i kursit të reformave dhe më konkretisht realizimi i 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, të cilat mbeten parakushte për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë të këtij viti. Në dokumentin e rezervuar për vendet e Ballkanit perëndimor, ai ka përmendur edhe njëherë si arritje mbylljen e negociatave me Kroacinë, ndërsa ka kërkuar edhe nisjen e negociatave për liberalizimin e vizave me Kosovën, vendin e fundit të mbetur në Ballkan në këtë proces. Kryeministri Orban rikonfirmon vullnetin e BE-së për të vazhduar me strategjinë e zgjerimit me vendet e Ballkanit perëndimor.
...