Asnjë mundësi për kthimin e çështjes në KQZ, PS kërkon të zvarrisë procesin
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi
Ndërsa Partia Socialiste është tërhequr nga kërkesa e saj për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë, Partia Demokratike e ka cilësuar këtë si një taktikë zvarritëse nga ana e kësaj force politike për rezultatin përfundimtar. Një fakt të tillë e ka pohuar, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, para mjediseve të Gjykatës ku po zhvillohej mbledhja e Kolegjit Zgjedhor, e cila presupozohej se do të vendoste mbi kërkesë-padinë e Partisë Socialiste, që kundërshtonte rezultatin e shpallur nga KQZ dhe kërkonte pavlefshmërinë e votimit në 284 qendra votimi në kryeqytet. “Jemi asgjë më shumë sesa përballë një taktike zvarritëse. Mjafton të përmendni numrin e kërkesave ankimore të PS, kjo është një kërkesë e paprecedentë. S’ka ndodhur ndonjëherë. Megjithatë, është në zgjedhjen e tyre të ndjekin një taktikë të tillë. Qëndrimi ynë është që ky proces duhet të përfundojë sa më parë, sepse qytetarët e Tiranës presin fituesin, në fakt ata e kanë një fitues. Taktika e PS, në mënyrë të qëllimshme është që të zvarrisë dhe t’i ulë vlerën këtij procesi, gjë që është e pamundur. Megjithatë, sot jemi para një kërkese e cila ka një veçanti. Në mënyrë fare të qartë, Partia Socialiste sulmoi Kolegjin haptazi dhe tha se ne nuk kemi besim te ju... Kështu përkthehet kjo kërkesë e PS, ne nuk kemi besim te ju, pra, e heqim këtë kërkesë nga gjykimi, sepse kërkojmë një shans më të mirë. Gjithsesi mbetet në çmimin e tyre, sepse gjykata mori një vendim në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe procedurën. Ne sot ishim përpara mundësisë për ta shqyrtuar në themel kërkesën për pavlefshmëri dhe PS-ja kërkoi që të mos e bënte këtë. Kërkoi një truk procedural. Shihni vetëm rastet kur PS është tërhequr nga procesi dhe do e kuptoni se janë ata që kërkojnë ta zvarrisin procesin”, u shpreh Bylykbashi.
Ai shtoi më tej se nga ana tjetër, “mazhoranca ka besim te Kolegji Zgjedhor në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës”.