Kolonia ndërkombëtare e artit në Pogradec, mbahet edicioni i 16-të me piktorë nga vende të ndryshme të botës

Është mbajtur në Pogradec për të 16-tin vit radhazi kolonia ndërkombëtare e artit figurativ, e cila bëri bashkë piktorë nga Ballkani, Europa, por edhe Azia e Largët.
Për një javë, piktorët pjesëmarrës prodhuan veprat e tyre frymëzuar nga natyra dhe peizazhi i qytetit liqenor.
“Kemi artistë që na vijnë nga larg, nga Italia, Çekia, Anglia, por edhe nga Koreja kemi dy artistë,” tha kuratori dhe organizatori Saimir Ahmeti.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam shumë mirënjohëse për pritjen tuaj. Bukuria e natyrës, peizazhi, ngrohtësia dhe dielli, por edhe njerëzit këtu më lanë mbresa të veçanta. Koloninë e përjetova si një hapësirë të bukur krijimtarie, ku mësova ide, teknika të reja, njoha shumë miq dhe më pëlqeu veçanërisht puna në natyrë, e cila më dha shumë frymëzim,” u shpreh piktorja Sabine Livia.
“Pjesëmarrja më dha shumë frymëzim, sepse çdo ditë ndaja ide dhe stile të reja me artistët nga vende të ndryshme. Jam shumë mirënjohës për mikpritjen dhe organizimin. Pogradeci është një qytet shumë i bukur,” tha piktori Roman Kharevsky.
Piktorët pjesëmarrës u shprehën se kjo koloni arti ishte një hapësirë krijimtarie dhe miqësie, duke theksuar faktin se janë frymëzuar nga bukuritë e Pogradecit.
Kolonia ndërkombëtare e artit figurativ është një event i përvitshëm dhe i rëndësishëm i pikturës në vend, që ndër qytete të tjera ndalesën e ka edhe në Pogradec.
Ekspozita me 35 krijimet e artistëve do të qëndrojë e hapur për 10 ditë në galerinë e arteve “Lasgush Poradeci”.
Gazetare: Elsa Xhindole
/rtsh.al/