Koloseumi po fundoset

Ekspertët kanë vërtetuar se ana jugore e Koloseumit romak në Romë është më e ulët se sa ajo veriore, andaj ka nevojë për një interesim urgjent. Amfiteatri dymijë vjeçar romak duket se po i vuan pasojat e trafikut të dendur në Romë, meqenëse ndodhet afër njërës prej autostradave më të frekuentuara, njoftojnë mediat italiane.
Autoritete e kryeqytetit italian ndërkaq kanë njoftuar se ana jugore e Koloseumit është më e ulët se ajo veriore, që do të thotë se kjo anë e kësaj ndërtese antike ka filluar të fundoset në dhe.
Ekspertët e Universitetit Sapienza dhe të Institutit për Ekologji dhe Gjeoinxhineri kanë vërtetuar se një prej arsyeve të mundshme janë dridhjet e shkatuara nga trafiku, megjithëse ka mundësi që edhe në themelet nëntokësore të objektit të ekzistojë ndonjë çarje që ndikon në fundosjen e murit jugor.
Ka mundësi të Koloseumi t’i nënshtrohet një intervenimi strukturor – si në rastin e Pirgut të Shtrembër në Pizza - për të ndalur dëmtimin e mëtutjeshëm të tij.