Komandanti i KFOR-it i zhgënjyer për veriun

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Majori, Volker Halbauer ka deklaruar se është i zhgënjyer me zhvillimet të veri. Ai i tha këto komente derisa u takua me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati në Mitrovicë.
Në mesin e çështjeve të diskutuara, Halbauer adresoi incidentet e fundit në zonën e Kroit të Vitakut dhe shprehu zhgënjimin e tij me zhvillimet e tilla.
“Komandanti i KFOR-it theksoi se kryetarët përgjegjës të komunave dhe përfaqësuesit e komunitetit, pavarësisht etnicitetit apo anëtarësisë partiake duhet të mbahen përgjegjës në qoftë se tensionet ndodhin përsëri”, thuhet në një njoftim të KFOR-it.
Në kontekstin e njëjtë, Gjeneral Major Volker Halbauer përsëriti se KFOR-i nuk ka rol në vlerësimin e aspekteve ligjore apo politike të aktiviteteve të ndërtimit dhe rindërtimit në Kosovë, “por se këto aktivitete duhet të menaxhohen në frymën e pajtimit dhe dialogut”, shkruan Zëri.
“Për më tepër, Komandanti i KFOR-it kujtoi se të gjithë akterët duhet të përmbahen nga çfarëdo veprimi i cili mund të rrisë tensionet dhe çojë në dhunë”, theksohet në komunikatë.
Halbauer e siguroi Kastratin se KFOR-i do të vazhdojë misionin për të kontribuuar për një ambient të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes në mënyrë të vendosur, të matur dhe të paanshme.
Në fund, Komandanti i KFOR-it inkurajoi të gjithë akterët të veprojnë në mënyrë paqësore dhe me respekt për të gjithë./Indeksonline/