E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kombësia", Tavo-Barka kundër Kushtetueses

TIRANE - Deputeti i LSI-së për Qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo dhe deputeti i PD për Sarandën, Koço Barka kanë reaguar dje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që heq deklarimin e kombësisë nga gjendja civile.

Sipas tyre, shpallja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku shfuqizohej termi kombësi në certifikatat e shtetasve shqiptarë, përbën një shkelje të hapur të të drejtave themelore të njeriut dhe në vecanti të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.

Sipas Barkës dhe Tavos, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, e ka kthyer atë nga një institucion që mbron Kushtetutën, në një shkelës brutal të saj.

Reagimi i deputetëve, bëhet edhe më i ashpër kur etiketon vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të kompromentueshëm, i dhënë në kushtet e një kryqëzate haxhiqamiliste ndërmarrë kundër pakicave në Shqipëri. Vendimi në fjalë sipas këtyre të fundit, e ka kthyer Shqipërinë në kohët e vjetra si shkelëse flagrante e të drejtave të njeriut dhe e pakicave.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›