E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombet e Bashkuara dhe Turqia, hetime të paanshme dhe urgjente

Izraeli ngulmon se sulmi ishte vetëmbrojtje

Kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme protestat dhe revolta e komunitetit ndërkombëtar ndaj sulmit të ushtarëve hebrenj në anijen me misionarë paqësorë në afërsi të Rripit të Gazës. Po dje, aktivistët pro-palestinezë kanë dërguar një varkë tjetër në afërsi të zonës së patrulluar nga izraelitët për të sfiduar kështu veprimin e tyre të padrejtë dhe në shenjë proteste të asaj që ndodhi. Ndërkaq, Egjipti ka njoftuar se po hapte përkohësisht kufirin e tij me territorin palestinez pas sulmit të dy ditëve më parë. Ky sulm shkaktoi një reagim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj veprimit të hebrenjve. Ky veprim ka ngjallur brenda vendit debate që mund të çojnë në kriza dhe çarje politike, si dhe ka rritur ndjeshëm presionin për t’i dhënë fund bllokadës së Gazës që ka shtuar dhe thelluar dukshëm varfërinë dhe vuajtjet në zonën në të cilën banojnë 1.5 milionë vetë. Turqia, e cila ishte një nga mbështetëset më të mëdha jozyrtare të flotiljes së ndihmës është në krye të kriticizmit ndërkombëtar, duke e cilësuar ngjarjen “masakër e përgjakshme” dhe duke i kërkuar Uashingtonit që të dënojë sulmin. Shtëpia e Bardhë ndërkohë ka vepruar dhe reaguar me shumë kujdes dhe matur duke bërë thirrje mbi të gjitha për shpalosje të së vërtetës dhe të të gjitha fakteve. Ndërsa tensioni është në rritje ushtria izraelite ka njoftuar se ka kryer dje një sulm në Gaza dhe thuhet se ndërkohë një grup islamist palestinez ka hedhur një raketë në Izraelin e Jugut. Për sa i përket flotiljes ndaj së cilës u hap zjarr ajo ishte duke u drejtuar drejt bregut të Gazës e ngarkuar me mijëra tonë ndihma ushqimore dhe të tjera të cilat Izraeli nuk i lejon që të hyjnë në Gaza. Izraelitët e sulmuan të hënën flotiljen pas disa paralajmërimesh duke marrë kështu jetën e 9 aktivistëve dhe duke plagosur dhjetëra persona të tjerë që ndodheshin në bordin e njërës prej anijeve të saj. Sipas burimeve izraelite 679 persona janë arrestuar, një pjesë janë liruar dhe ata që nuk pranojnë që të bashkëpunojnë, vazhdojnë që të mbahen në burg. Sipas Izraelit, bllokada e Gazës është e domosdoshme për të parandaluar sulmet e “Hamas”-it që mbështeten financiarisht nga iranianët. Sipas hebrenjve, “Hamas” ka hedhur në Izrael qindra raketa dhe bllokada ndalon kalimin e lëndës së parë për ndërtimin e tyre. Izraeli kërkon edhe që t’u bëjë presion palestinezëve që të lirojnë një ushtar hebre që ndodhet në duart e “Hamas”-it që prej 4 vitesh. Kritikët thonë se bllokada nuk ia ka dalë që të dobësojë aftësinë goditëse të militantëve palestinezë dhe ka shkaktuar shumë dëme shëndetësore te popullsia e varfër e Gazës që jeton e izoluar dhe në kushte shumë të vështira mbijetese. Pas hapjes së kufirit të Egjiptit qindra palestinezë e kanë kaluar atë me shpresë për të përfituar nga ky veprim i rrallë që mund të marrë fund nga momenti në moment. Ndërsa për sa u përket organizatorëve të flotiljes misioni i saj do të vazhdojë dhe një tjetër anije ishte rrugës për të ndaluar bllokadën e Gazës dhe një nga mënyrat për ta bërë një gjë të tillë është dërgimi i një numri sa më të madh anijesh për t’u bërë presion autoriteteve izraelite. “Kjo iniciativë nuk do të ndalojë dhe izraelitët do të duhet që t’i japin fund bllokadës dhe një nga mënyrat për ta bërë këtë është që të na lejojnë të dërgojmë varkat”, ka deklaruar zëdhënësja e flotiljes. Për sa u përket hebrenjve ata kanë refuzuar të thonë se si do të reagojnë nga ardhja e anijeve të tjera në afërsi të kufirit të Gazës, por deri tani nuk është njoftuar asnjë lloj ndryshimi në politikën aktuale, atë të bllokadës.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›