Diplomacia europiane përkrah Ballkanin Perëndimor
Sot në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës zhvillohet takimi më i përfolur i nivelit të lartë BE - Ballkan Perëndimor. Të gjitha vendet ballkanike që përfaqësohen në këtë takim nga ministrat e Jashtëm, shpresojnë se BE do të afishojë një qëndrim mbështetës për procesin integrues dhe anëtarësues të tyre. Samiti i organizuar në kuadër të 10-vjetorit të Samitit të Zagrebit, sipas pohimeve paraprake të pjesëmarrësve, do të rivlerësojë arritjet dhe procesin e standardeve të vendeve të BE-së në kuadër të integrimeve europiane. Ky samit startoi në mbyllje të krizës së Kosovës në fillim të vitit 2000, kur diplomacia dhe politika europiane konfirmoi mbylljen e ciklit të egër të konflikteve ndëretnike në Ballkan dhe përcaktoi strategjinë e kalimit në Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit në BE. Takimi i sotëm në Sarajevë, sipas organizatorëve do të bëjë bilancin e arritjeve, do të konfirmojë progresin e arritur për liberalizimin e vizave, do të diskutojë rreth kërkesave për statusin e vendeve kandidat për anëtar në BE, si dhe do të diskutojë rreth mundësive të Ballkanit Perëndimor për të qenë i gjithëpërfshirë në strategjitë integruese dhe përshpejtuese europiane.
Zyrtarët e lartë europianë dhe ata ballkanas, gjatë takimeve, bisedës dhe debatit do të rikonfirmojnë edhe një herë mbështetjen shumëpalëshe për integrimin. Ndërsa komisionerët e BE-së që, do të artikulojnë hapur mbështetjen e BE-së për gjithë rajonin, por njëkohësisht do të ritheksojnë detyrimin e vendeve të rajonit për të fituar kohë në raport me detyrimet dhe standardet integruese të kërkuara.
Në Samitin e Sarajevës, 48 pjesëmarrësNdërsa përgatitjet për Samitin e Sarajevës përfunduan dje në mbrëmje, në listën përfundimtare gjenden 48 pjesëmarrës. është konfirmuar pjesëmarrja e 29 të ftuarve, kryesisht ministra të Jashtëm të shteteve të Bashkimit Europian dhe shefa të organizatave ndërkombëtare. Në Sarajevë shkon shefi i diplomacisë britanike, William Hague, shkruan gazeta "Dnevni Avaz", ndërsa ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner është tërhequr papritmas nga pjesëmarrja. Ministri gjerman, Guido Westerwelle, kishte njoftuar me kohë se nuk do të merrte pjesë.
Zyrtarët më të lartë të BE-së janë pjesë aktive dhe themelore e këtij samiti: Catherine Ashton dhe Stefan Fule, si dhe ministrat e Jashtëm të Italisë, Franko Fratini, dhe ai spanjoll Anguel Moratinos. Në cilësinë e mysafirit do të jetë prezent edhe zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg, dhe ai i Turqisë, Ahmet Davutoglu. Siç është bërë e ditur, Moska e ka injoruar samitin e Sarajevës. Përfaqësuesi i saj në cilësinë e mysafirit do jetë ambasadori rus në BeH. Sipas gazetës "Dnevni avaz" nuk u arrit konsensusi për miratimin e një deklarate të përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve. Për këtë arsye, prej takimit do të ketë vetëm një "deklaratë presidenciale", të cilën do ta publikojë presidenca spanjolle e BE-së.
BE-ja emëron të dërguar të veçantë për Ballkanin Perëndimor?Burime diplomatike pranë samitit të sotëm në Sarajevë, bëjnë të ditur se BE-ja pas këtij evenimenti, do të emërojë të dërguarin e veçantë për Ballkanin Perëndimor. Kandidatët më seriozë, siç shkruajnë mediat serbe, janë Paddy Ashdown dhe Miroslav Lajçak, të dy ish-përfaqësues të lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare në BeH. I dërguari i ardhshëm për Ballkanin Perëndimor do të përfaqësohet në Këshillin e BE-së, duke u bërë pjesë e aparatit të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, e cila edhe e emëron zyrtarisht. Ashdown, i cili aktualisht nuk kryen asnjë funksion të lartë publik, dhe Lajçak, ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, edhe pas largimit nga posti i përfaqësuesve të lartë për BeH, janë interesuar për ngjarjet në Ballkan. Ashdown ka dalë më parë me idenë për nevojën e një të dërguari të BE-së për Ballkanin Perëndimor. “I dërguari special për BeH nuk do të ishte ide e mirë, por i dërguari i veçantë për Ballkanin do të ishte më shumë se një gjë e mirë”, është shprehur Ashdown për mediat e Sarajevës. Pranimin për këtë emërim, sipas mediave serbe, e ka afishuar shefi i ri i diplomacisë britanike, William Hague.
Takim i presidentëve të katër vendeve ballkanikePresidentët e Serbisë, të Bosnjës, Kroacisë dhe të Malit të Zi u takuan dje në Sarajevë për të premtuar marrëdhënie më të mira, derisa secili shtet synon anëtarësim në Bashkimin Europian.
#