E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal në polici, ndryshon lista e fituesve të komisarëve

Nesër dosja dërgohet për hetimin në SHKB dhe në Prokurorinë e Tiranës. Dyshime mbi 2 komisionet e vlerësimit

Skandal me vlerësimin e testimeve të oficerëve të policisë për gradën “Komisar”. Brenda katër ditësh, Policia e Shtetit ka ndryshuar dy lista për fituesit, në kundërshtim me urdhrin e nxjerrë nga drejtori i Përgjithshëm, duke ndryshuar emrat e personave, që kanë fituar gradën “komisar” dhe duke e shtuar atë me 25 veta, që sipas të dhënave nuk kishin mbledhur minimumin e pikëve. Lista e dytë me emrat e 85 fituesve, ku janë shtuar edhe 25 nga lista e parë, nuk është publikuar, por mësohet se të gjithë personat “e dyshimtë” janë telefonuar dje duke marrë lajmin për fitimin e gradës “Komisar”, ku siç dihet funksioni dhe grada janë të lidhura drejtpërdrejt me pagën e punonjësit të policisë.

Konkursi dhe misteret

Sipas të dhënave, në bazë të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku deklarohej se janë 60 vende të lira për gradën “Komisar”, u zhvillua konkursi i 600 “nënkomisarëve”, të cilët kërkuan të ngrihen një gradë më lart. Ky konkurs u realizua ditën e shtunë, por ishte planifikuar të zhvillohej që në fillim të muajit maj. Pas konkursit, ku testimi ishte me shkrim dhe ishin përgatitur njëqind pyetje, u shpallën edhe fituesit. Nga të dhënat mësohet se çdo oficer konkurrues duhet të merrte të paktën 60 pikë për t’u kualifikuar. Vlerësimi i testit u bë me skaner, me qëllim që të mos kishte abuzime nga një komision i veçantë për gradat. Në përfundim u lexuan emrat e 60 fituesve dhe lista u shpall në ambientet e brendshme të ish-Akademisë së Rendit, ose siç quhet sot Qendra e Formimit Policor.

Ditën e djeshme, në rrethana të pashpjegueshme, disa oficerë konkurrues, të cilët nuk kishin mundur të mblidhnin pikët e mundshme, janë telefonuar dhe u është deklaruar se kishin fituar konkursin. Telefonatat, pa asnjë transparencë janë kryer për shumë veta dhe në orët e pasdites është mësuar se lista e fituesve kishte shkuar në 85 veta, duke ndryshuar renditjen, pavarësisht se nuk është afishuar në asnjë vend.

Këtu kanë nisur reagimet e para të oficerëve të policisë për abuzimet që janë bërë ndaj tyre, duke u mohuar të drejtën e fitimit të gradës dhe duke futur në listë persona që nuk kishin plotësuar pikët e nevojshme dhe kanë kërkuar transparencë, ndërkohë që drejtuesit e policisë janë shprehur se është ngritur një komision rivlerësimi.

Emrat e përzgjedhur

Mbi këto baza, mësohet ata kanë hequr disa nga pyetjet dhe pa vlerësimin e pikëve në këto pyetje, është bërë rivlerësimi. Megjithatë, kjo ka penalizuar shumë oficerë policie dhe atyre nuk u është shpjeguar asgjë me rregullat e reja të vendosura për grupin e rivlerësimit, që bie në kundërshtim me urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm. Të pambrojtur, oficerët e policisë kanë drejtuar një sërë ankesash dhe në përfundim i janë drejtuar edhe Degës së Sindikatës së Policisë së Qarkut Tiranë. Oficerët e Drejtorisë së Tiranës, mësohet se janë edhe më të prekurit nga ky abuzim që bëhet në kurriz të tyre. Ata kanë shpjeguar se në raste të tilla duhet të bëhet testim i ri, ose lista nuk mund të ndryshojë, derisa pyetjet kanë qenë të njëjta për të gjithë konkurruesit. Gjithashtu, në lista janë futur persona që kishin mbledhur shumë pak pikë, duke lënë jashtë liste edhe të tjerë që janë klasifikuar më lart se ata, veprim i cili është bërë në fshehtësi dhe pa transparencë ndaj tyre.

Kallëzim në SHKB

Për këtë skandal, Dega e Sindikatës së Policisë në Tiranë ka reaguar menjëherë, duke kërkuar hetim të çështjes. Nga ankesat e shumta, ajo i është drejtuar me shkresë Kryesisë Qendrore të kërkojë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, hetimin për komisionet e vlerësimit dhe rivlerësimit dhe për procedurat e gradimit që janë bërë në mungesë të plotë transparence. Sot, policia pritet të dalë në një reagim zyrtar në lidhje më këtë çështje delikate, për transparencën e ndryshimeve të rezultateve të konkurrimit. Ka dyshime se mund të jetë abuzuar edhe në rastin e dhënies së gradës kryekomisar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›