Rreth 90 të vrarë në Siri
Regjimi i presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, po përdor dhunën brutale kundër lëvizjes opozitare. Numri i të vrarëve gjatë protestave të fundit është rritur në mënyrë dramatike.
Sipas të dhënave të grupeve opozitare, gjatë protestave të ditës së premte janë vrarë të paktën 88 persona.
E premtja ishte dita më e përgjakshme, që prej fillimit të protestave kundër regjimit të Assadit, para një muaji.
Forcat policore kanë përdorur kundër demonstruesve gaz lotsjellës dhe armë zjarri.
Ndërkohë që snajperistët kanë qëlluar prej çative të shtëpive.
Dhuna e regjimit të Sirisë kundër demonstruesve ka shkaktuar indinjatë të thellë në mbarë botën.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të dhunës dhe respektimin e të drejtave të njeriut, kumtoi një zëdhënës i tij në New York.
Presidenti amerikan, Barack Obama, kritikoi regjimin e Sirisë për dhunë brutale kundër demonstruesve.
Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad po i lejon vetes që të mbështetet nga Irani për të nënshtruar popullin e vet, tha Obama.
Presidenti amerikan i referohet si duket burimeve sipas së cilave, Siria po përdor edhe teknikë iraniane për spiunimin e opozitës.