E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kombëtarja, sonte për “bis” ndaj boshnjakëve

Pas humbjes në ndeshjen e parë në Rumani, rrugëtimi Kombëtares kuqezi të volejbollit për meshkuj në grupin G të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian vijon në fundjavë me përballjen e dyfishtë me Bosnjë-Hercegovinën. Të dyja ndeshjet është rënë dakord që të luhen në kryeqytetin shqiptar, në Sallën Sportive “Feti Borova” në Parkun Olimpik në Tiranë dhe po vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.

Në takimin e parë me boshnjakët, të luajtur të shtunën, Shqipëria e ka nisur keq, duke i humbur dy setet e para, përkatësisht 25-19 dhe 25-11, e për më tepër duke humbur edhe kapitenin kuqezi, Anton Qafarena, për shkak të dëmtimit. Por skuadra e trajnerit Jani Melka ka reaguar, duke e marrë setin e 3-të 25-22 dhe, ndonëse ka humbur edhe pasuesin Muharrem Deliu për shkak të një dëmtimi, ka vijuar të marrë edhe setin e 4-t, 25-21, por edhe atë të 5-të, 15-12, duke fituar kështu me përmbysje 3-2.

Sonte luhet përballja e dytë me boshnjakët, që gjithashtu do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në RTSH Sport, duke nisur nga ora 19:00, ndërsa mbetet për t’u parë gjendja e lojtarëve të dëmtuar dhe zgjedhjet taktike që do të bëjë trajneri kuqezi për të gjetur fitoren. Më pas, në datat 10 dhe 13 gusht, skuadra e Melkës do të ndeshet me Zvicrën, me takimin e parë që luhet në fushë të huaj e me atë të kthimit në Tiranë. Shqipëria e mbyll pjesëmarrjen e saj në grupin G me ndeshjen me Rumaninë, që do të luhet në Tiranë më 20 gusht 2022.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›