Shqipëria mundet nga Bosnja, nuk ka më mrekulli në “Feti Borova”

Kombëtarja e meshkujve në volejboll është mundur sot në “Feti Borova” nga përfaqësuesja e Bosnjes me rezultatin 3-1, në sfidën e transmetuar në RTSH Sport. Nëse një ditë më parë kuqezinjtë e rrjetës bënë mrekullinë duke përmbysur rezultatin nga 0-2 në 3-2, sot janë dorëzuar përballë boshnjakëve.
Në këtë sfidë të tretë, e vlefshme për Grupin G të eliminatoreve të Kampionatit Europian, boshnjakët, ashtu si dje, dominuan në dy setet e para duke fituar me të njëjtin rezultat: 25-18. Kuqezinjtë “ringjallen” në setin e tretë duke fituar me rezultatin 25-21.
Dukej sikur historia do të përsëritej, por… në fak janë boshnjakët që dominojnë në setin e katërt duke fituar me rezultatin 25-15 dhe gjithë ndeshjen 3-1 me sete. Kjo është ndeshja e tretë për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Jani Melka me një fitore dhe dy humbje.