Komedia “Nuse vetëm për letra” mbush skenën e teatrit në Korçë

Artdashësit korçarë kanë ndjekur me interes ditët e fundit komedinë “Një nuse për letra” vëne në skenë nga regjisori Leka Bungo.
Trupa e “Andon Zako Çajupit” vjen për herë të parë në një bashkëpunim me këtë regjisor. Në rolet kryesore ishin aktorët e mirënjohur Guri Koço, Zamira Kita, Astrit Hasani, Blerta Belliu e krah tyre edhe aktorët e rinj tepër të talentuar ku Juxhin Plovishti vinte me rol kryesor, si edhe aktorët Franc Bregu, Kristi Baçe e Besfort Berberi.
“Një nuse vetëm për letra” trajtonte një ngjarje reale, të ndërtuar mbi karaktere tepër të veçanta, sa komike e deri diku edhe të çuditshme. Në qendër të veprës ishte një familje, e cila për vite me rradhë, shfrytëzonte martesat fiktive për të siguruar të ardhura, ndërsa personazhet e tjerë, paguanin për të siguruar letra në mënyrë që të mund të qëndronin në SHBA
Projekti i ri artistik i regjisorit Leka Bungo është mirëpritur në Korçë ndërsa dinamika e ngjarjeve e përcjellë mjeshtërisht me notat e humorit, mbajti mbërthyer publikun artdashës i cili ndoqi me interes lojën e aktorëve.
Skenografia e “Nuse vetëm për letra” u realizua nga Beqo Nanaj ndërsa asistente regjisore e shfaqjes ishte aktorja Lola Meta.
Komedia do të shfaqet edhe mbrëmjen e së dielës në orën 19:00 në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” ndërsa do të ketë edhe rikthim të saj në muajt maj, qershor si edhe në vjeshtë.
/ rtsh /