E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komedia e Teodor Lacos Beqaret premiere ne Korce

Premiera e komedisë "Beqarët", shkruar nga Teodor Laço dhe vënë në skenë nga regjisori Gëzim Kame, u shfaq nga trupa e teatrit "Andon Zako Çajupi", në qytetin e Korçës.

Dramaturgu Teodor Laço ashtu si dhe në disa komedi të tjera të tij, si "Shi në plazh", "Një nuse për Stasin" edhe tek "Beqarët", ka vënë në shenjestër nëpërmjet humorit të tij të hollë beqarinë, besnikërinë absurde ndaj një dashurie të humbur e nënvleftësimin e vetvetes, që vihet re edhe tek personazhet kryesore të kësaj komedie. Një mjek gjinekolog e një profesor letërsie, të cilët pas zhgënjimeve me "dashurinë e parë" nuk duan që të martohen edhe pse kanë shumë raste dhe vetëm kur "fati" i merr për dore dhe i çon për pushime në një ishull të Greqisë, futen në një aventurë të pazakontë, ku gjejnë veten dhe të dashurat e zemrës.

Ndërsa për regjisorin e kësaj komedie Gëzim Kame, bashkëpunimi me Laçon , është i dyti pas 28 vitesh, kur ata vunë në skenë komedinë
“Shi në Plazh”, duke shpresuar për të njëjtin sukses për “ Beqarët” .

Aktorja Mirjana Deti, e cila luan edhe protagonisten e komedisë, Borana, rrëfen emocionet e dyfishta të shfaqes pasi ajo rikthehet teatrit të Korçës pas 12 vitesh mungesë dhe për më tepër luan në komedinë e shkruar nga bashkëshorti i saj.

Fundi i komedisë është i lumtur, vjen përmes situatash mjaft komike, me një lojë realiste e plot nur komik nga stafi i aktorëve, që dashuria i bën si 'fëmijë' edhe pse janë beqarë të vonuar.

Komedia “ Beqarët”, ka çelur aktivitetet e teatrit të Korçës për festat e fundvitit dhe do të vazhdojë të shfaqet gjatë gjithë javës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›