Komenti/Arti i luftës opozitare
Për t’u bërë një lider i veçantë opozite, ideal politik i shumë njerëzve, zakonisht individ pabesueshëm për një sërë arsyesh, brutal e cinik, duhet të ndjekësh disa faza. Doracakët në qarkullim janë të shumtë. Por të gjithë thuajse kanë në thelb tetë faza, që janë:
Faza e parë, duhet të shkosh në një fushatë elektorale pa një program a alternativë qeverisëse, nëse humb një palë zgjedhje qofshin këto parlamentare ose administrative duhet të gjesh një alibi jo të vogël për humbjen mundësisht jo më të madhe sesa një kuti votimi, të luftojë për t’i hapur kutitë e votës duke ikur nga shija e ithët e mungesës së votave, të dalë nga parlamenti për të bojkotuar institucionet kushtetuese, të dalë në protesta anekënd për të kërkuar votën, çliruar vizat dhe ekonominë, të bllokojë rrugët dhe bulevardet me njerëz dhe trazira me goma të djegura, pas 6 muajsh të lejojë hyrjen në kuvend të deputetëve të partisë për të bërë betimin dhe marrë rrogën, të krijojë kushtëzime sine materia, pa thelb, për të kthyer normalitetin politik.
Fazë e dytë, në dimër lideri duhet të akuzojë qeverinë për emergjencat civile: reshjet e shiut, të dëborës, të shkarjes së dheut, të alarmojë popullsinë për fatkeqësi të reja që do të vijnë me parashikime ogurzeza, të shembjes së digave, të daljes nga shtrati të lumenjve, të shkrirjes masive të dëborës dhe për rrjedhojë përmbytje universale.
Faza e tretë, në verë lideri i opozitës duhet të akuzojë qeverinë për zjarret masive të pyjeve, të kullotave, të thatësirës në liqenin e Fierzës, të Vau të Dejës dhe Komanit. Të akuzojë në mënyrë indirekte qeverinë për shpërthimin e vullkaneve në Islandë, të tërmeteve në Itali, të cunamit në Indonezi.
Faza e katërt, të radikalizojë situatën politike në vend, të përdoret strategjinë e viktimizimit të opozitës, të kthejë opozitën në një organizatë joqeveritare, opozita duhet të dalë përditë në konferenca për shtyp përdor teknikën e demaskimit, të demaskimit të paaftësisë se qeveritarëve, të keqdashjes në katastrofa natyrore dhe njerëzore, natyrisht me shpresë kriza ekonomike botërore të ilustrojë dhe me dështime ekonomike.
Faza e pestë, një lider opozite duhet të imponojë një agjendë konfliktuale vendit përpara antarësimit në NATO, liberalizimit të vizave dhe vendimeve për status-kandidat në BE. Sikurse në pika të kësaj agjende mund të jenë përsëri bllokime rrugës dhe greva urie militantësh për të përcjellë në Bruksel idenë se në Shqipëri ka diçka që nuk funksion.
Faza e gjashtë, këto anormalitete opozitare të shoqërohen ngritjen e çadrave përballë kryeministrisë, të hyjnë në grevë urie deputetë dhe militantë të partisë, të zvarritën deputetët derisa të fitohet një darkë në ndonjë restorant me emër reptilësh. Dalja nga greva e urisë.
Faza e shtatë, për të krijuar një skemë destabiliteti duhet të përpunohet një nga anëtarët e kabinetit qeverisës, t’i atij jepet sigurisht një çimkë për të filmuar pa zë, të montohet fiks fare zëri dhe të titrohet korrupsioni për të gjithë sytë e etur opozitarë, të thirret një demonstratë zemëruese kundër-korrupsionit ku populli të tejkalojë opozitën dhe mundësisht të kapërcejë mbi kufomat duke u përballur me forcat e sigurisë së institucioneve kushtetuese, të gjendet gjaku për të larë duart nga kauza e kutive dhe rekrutuar krerët e prokurorisë për të shkatërruar zinxhirin komandues të gardës mbrojtëse. Të tentohet marrja e qeverisë me të gjitha mjetet, me grupe me agjendë tjetër përpos votës së lirë. Të deklarohet në media se opozita është e gatshme të martirizoi 13 mijë opozitarë.
Faza e tetë, me kauzën e re të gjakut opozitar në duart të shkohet në zgjedhje për të mbajtur sadopak pozicionet e pushtetet. Në rast humbjeje të pozicioneve të pushtetit lideri i opozitës duhet të izolohet për të shkruar kujtimet e betejave të fituara dhe të humbura. Në këto kushte lideri duhet zhdukur për ca muaj, të martohet, të krijojë një oaz qetësie deri në krijimin e kursit të ri opozitar. Kursi i ri i liderit të opozitës duhet të jetë politikë me intervista, me editoriale, me 140 shkronja në rrjetet sociale. Sido që të jetë duke ndjekur këto tetë faza vështirë se sigurohet fitorja e opozitës, por fitohet dashuria dhe urrejtja e njerëzve për liderin.