Etika si identitet i një shoqërie
Në mjediset e jetës së përditshme, si rrugë, kafene, autobusë, makina të vogla, sidomos të shtrenjta, në pika interneti, në mjedise të pastra, vërehet në mënyrë shqetësuese ndotja e fjalorit të komunikimit, të cilën po e quaj ndotja fjalorike.
Etika, edhe pse në pamje të parë një tematikë e këtillë mund të duket banale, është një element, pothuajse i harruar i së përditshmes sonë.
Ndonëse parimisht nuk ka një përkufizim të etikës, ajo është subjektive dhe e ndryshueshme tek njerëz të ndryshëm, gjithsesi, njeriu është i prirur instiktivisht për ta ndjerë atë, qoftë kur vepron mirë, qoftë kur vepron keq.
Imagjinoni se në çfarë sikleti mund të ndihet në këto raste babai, nëna, motra, tezja, halla, kur mund të ndeshen me fenomene të tilla me të afërmit e tyre.
Dukuria është e shëmtuar, perverse, aspak qytetare, në kundërshtim flagrant me gjithçka elementare të normave shoqërore.
Më e shëmtuar shfaqet kjo dukuri në mjedise zyrtare, institucione, ku etika jo vetëm është e nevojshme, por e domosdoshme, sepse për etikën në fjalë, sjellje, veshje, ka jo pak udhëzime, të cilat nuk janë, thjesht, të rekomandueshme, por të detyrueshme. Edhe për qytetarin këto elemente janë minimale për tu quajtur qytetarë.
Problemi nuk zgjidhet në një ditë, sepse nuk është krijuar në një ditë. Duhet impenjim për shërimin e këtij fjalori të ndotur.
Si për të mos mjaftuar kjo mungesë etike në përditshmërinë tonë, ajo që vihet re dhe që është më shqetësuese, e cila derivon gjithëlloj problematikash të tjera, është mungesa e etikës në një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit të së drejtës, si Parlamenti. Në Kuvendin e Shqipërisë, fjala vjen, mund të dëgjosh sharje dhe ofendime nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato më banalet e duke vijuar me kërcënime me jetë e zhdukje nga faqja e dheut. Sa herë që tejkalohet në ekstrem komunikimi politik, aq herë në përditshmëri gjeneron dhuna dhe krimi.
Po ashtu, ka një sërë e soj analistësh e komentuesish në shtypin e përditshëm, të cilët ushqehen vetëm me përmendjen e emrave dhe sharjen e të tjerëve, duke mos treguar asnjë lloj etike në komunikim dhe në polemikat e tyre. Për ilustrim do të sjellë në vëmendjen e lexuesit një shkrim kohët e fundit në një të përditshme të Tiranës, ku një prej të sipërpërmendurve më tipikë e më problematikë në një faqe gazetë përmendte plotë 28 emra, duke i etiketuar në mënyra fyese nga më të ndryshmet. Madje, ky autor, nëpërmjet shkrimeve të tij, mbushur me fyerje, mllef e ofendime rrugaçërore, artikulon ide të dhunshme e që nxisin urrejtjen midis bashkësive të ndryshme fetare e kulturore në vend.
Narrative publike e klasës politike dhe asaj të komentuesve dhe opinionbërësve është e rëndësishme të kornizohet në shinat e etikës së komunikimit, për arsyen e vetme se një shoqëri si kjo e jona, me probleme të theksuara ekonomike, sociale dhe kulturore, nga momenti në moment mund të rrëshqasë në situacione të pakëndshme dhe të panevojshme, të cilat nuk është se i kanë munguar në këto njëzet vitet e fundit.
Për të mos shkuar më tej e të përmendim raste edhe më flagrante të mungesës maksimale të etikës, ku veprimet e mira si ndershmëria, drejtësia, korrektësia etj, quhen idiote, përçmohen dhe tallen, dhe të kundërtat, si korrupsioni, mashtrimi, mediokriteti quhen vlera, zgjuarsi.
Për të qenë i mirë njeriu duhet të jetë i mençur, përndryshe mirësia e tij do të jetë gjysmake, formale dhe e papërsosur, ndërsa e keqja, përgjithësisht, ka të bëjë me marrëzinë, me injorancën dhe me mungesën e kulturës.
