E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikatat shqiptare në 1 Maj, banket me qofte e kikirika!

Share

Keta protestojne me 1 maj

Nga Përparim Halili

Një drejtues sindikate në Shqipëri më njoftoi dje me mesazh në adresën time se me rastin ditës së “1 Majit, do të organizonte një aktivitet sindikal. I telefonova drejtuesit sindikalist (siç e quan veten), për më tepër hollësi rreth aktivitetit. Ja biseda e zhvilluar me të:

UNË: – Çfarë do të bëni konkretisht?

KRYESINDIKALISTI: – Aktiviteti do ketë një takim përkujtimor për ditën e 1 Maj-it dhe për kontributin e sindikatës tonë, si mbrojtëse e punonjësve shqiptarë në këto 20 vite. Do flas unë si kryetar sindikate dhe nja 3-4 miqtë tanë. Kaq!

UNË: – Po tjetër, çfarë tematike keni?

KRYESINDIKALISTI: – Do bëjmë dhe një si tip banketi shoqëror me nja 5-6 tavolina me pije, qofte, byreçka e kikirika.

UNË: – Po protestë sociale-ekonomike, do të bëni?

KRYESINDIKALISTI: – Po me kë ta bëjmë protestën or burrë, me zyrtarët e sindikatës?!

UNË: – Bëjeni me punëtorët, me anëtarët e sindikatës, ti më ke thënë që ke 130 mijë anëtarë!

KRYESINDIKALISTI: – Ehhhhh ikën ato kohë, ku ka më sindikalistë, nuk na vjen më njeri në protesta, kanë halle të tjera njerëzit?!

Përpara se të ndalem tek dita e 1 Maj-it shqiptar, i cili prej shumë vitesh, madje tamam si në vitet e diktaturës, po përkujtohet pa protesta sindikale, po ju bëj me dije diçka shkurt në lidhje me sindikatën e kryetarit me të cilin bisedova në telefon. Nën drejtimin e tij ka pasur një formacion sindikal të shtrirë në gjithë vendin, në të gjithë profesionet e sektorëve publik e privat, me veprimtari tepër aktive e efiçente deri në vitin 1995. Ndërsa prej 17 vitesh, që kur sindikata u bë anëtare tribunash e pazaresh partiake, kjo sindikatë ka vetëm 6 zyrtarë në qendër, 12 kryetarë kukulla në qarqe dhe prej 21 vjetësh kryetarin në krye të tyre e asnjë anëtar. Nuk e teproj aspak nëse them se fytyra e kësaj sindikate është fizionomia reale e sindikalizmit aktual shqiptar. Po shtroj dy pyetje:

1. Përse 1 Maj-i në Shqipëri vjen dhe ikën si ditë e zakonshme pa asnjë punëtor në protestë?!

2. Përse në këtë ditë simbol të protestës së punëtorëve, nuk dëgjohet asnjë ZË proteste sindikate?!

Po ndalem tek deklarata e këtij kryetari sindikate. Përgjigjen e jep plotësisht qartë deklarata e trishtë dhe kapitulluese që bëri vetë kryetari i sindikatës së qofteve e kikirikave: Ehhhh ikën ato kohë, ku ka më sindikalistë, nuk na vjen më njeri në protesta, kanë halle të tjera njerëzit?! Kjo është e vërteta e hidhur, që ka mbërthyer prej shumë vitesh sindikalizmin shqiptar. Lëvizja sindikale mungon totalisht megjithëse në Shqipëri ka sindikata me bollëk, madje nga 50-60 emërtesë-sindikata të vet-shpallura në çdo lloj profesioni, administrate, shërbimesh publike, firmash private e sektori shoqëror. Por këto figurojnë vetëm si akte-themelimi, si zyra, si kryetarë me vetura e sekretare, por pa asnjë kokërr anëtari! Thjesht sindikatat shqiptare janë emërtesa të legalizuara me vendime-gjykatash dhe tabela të ngjitura nëpër shtylla e murre rrugicash, mbi dyer e ballkone pallatesh! Të gjitha bashkë nuk e mbushin dot një furgon me sindikalistë! Kjo është tepër shqetësuese, jo për faktin se sa sindikata janë si inventar, por për faktin se ato nuk kanë as fuqi e as moral që bëjnë sindikalizëm. Ato nuk e kryejnë dot, dhe në shumë raste nuk duan ta kryejnë, misionin publik që kanë marrë përsipër. Ato kanë braktisur përfundimisht besimin që u kanë deleguar punonjësit. Në vend të misionit si avokate të interesave të punonjësve, sindikatat vazhdojnë të funksionojnë prej 21 vjetësh si prona private e të përjetshme të 2-3 njerëzve. Nëse deri në vitin 1996 bëhej ndonjë grevë apo protestë që e detyronte qeverinë apo privatin të realizonin atë që kërkonte ligji, tashmë nuk ka më të tilla. Ushtria e sindikatave shqiptare, në emër të interesave të bajraktarëve të tyre uzurpues, kanë cenuar, shitur dhe braktisur interesat e punonjësve. Për rrjedhojë, punonjësit shqiptarë u kanë kthyer shpinën me neveri e shpërfillje këtyre (me nder) sindikatave.

Nëse ka një vend në botë ku sindikatat kanë më shumë volum pune, ky vend është Shqipëria. Por sindikatat në Shqipëri struken, heshtin përballë qeverive, bëjnë pazare me to dhe si shkëmbim, nuk mbështesin realitetin problematik që përjetojnë shqiptarët. Këto sindikata kukulla e pazarxhesha, as në ditën 1 Maj nuk e lëvizin menderen nga kolltuqet, që të dalin qoftë dhe formalisht në protestë simbolike! Përkundrazi, në vend që të hapin gojën për kërkesat dhe shqetësimet e punonjësve, në 1 Maj kërrusen mbi pjata duke mbllaçitur simite, qofte e kikirika! Nga sa kuptohet qartazi, sindikatat shqiptare as duan e as guxojnë të belbëzojnë përballë qeverive, pushteteve e shtetit për problemet jetike të punonjësve e të mbarë shqiptarëve, të cilët nuk janë pjesë e kupolës dhe oborrit të pushtetit.

Qeveria krijon përditë probleme sociale, ekonomike e shoqërore, ndërsa sindikatat heshtin e bëjnë pazare skutash me qeverinë. Ndryshe ska si shpjegohet kjo heshtje e plotë e tyre prej kufomash, kur shqetësimet nisin tek politika, tek qeverisjet, tek pushteti, tek shteti, tek drejtësia, tek ministrat dhe finalizohen prej tyre në mënyrë arbitrare e anti-ligjore, duke u shkarkuar ashpërsisht vetëm tek njerëzit, tek punonjësit. Ku e dha p.sh pasojën shkatërruese privatizimi i Alpetrol? Tek largimi i 3000 punonjësve nga puna! Kush e bëri këtë krim social ndaj tyre? Qeveria e parlamenti! Përse nuk dolën sindikatat në protestë, që të bllokonin hyrjen e zyrës së kryeministrit, të kryetares së Kuvendit, të ministrit të Ekonomisë, të puseve të naftës, por braktisën punonjësit, duke i lënë në duart e mafies qeveritare e parlamentare?!! Sepse sindikatat janë kukull! Ka shumë raste të tillë me pasoja sociale-ekonomike e jetësore që kanë si viktima punonjësit, nëpunësit e thjeshtë, komunitetet, shtresat e ndryshme shoqërore. Por sindikatat nuk janë pranë tyre, as në mbrojtje të tyre, megjithëse duhet të jenë, qoftë edhe me deklarata formale. Ndaj dhe punonjësit, shqiptarët nuk duan tu dëgjojnë as emrin sindikatave! Eshtë fakt, që sindikatave shqiptare nuk ua var asnjë punonjës, asnjë qytetar shqiptar. Madje nuk ua varin pafillon as institucionet shtetërore sepse me drejtuesit e institucioneve, krerët e sindikatave kanë bërë pazare punësh të pista, kanë zgjidhur vetëm hallet e tyre. Madje sindikatave shqiptare nuk ua vërshëllen asnjë subjekt privat, sepse agallarët e sindikatave janë ndotur nga xhepat tek bosët e firmave private, në shkëmbim të heshtjes për të mos bërë protesta për kushtet e punës, për pagat e ulëta, për punësimin e të miturve, për sigurimet shoqërore etj. Këto zullume të kupolë-sindikatave i dinë mirë punonjësit e nuk u shkojnë më pas sindikata-

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›