Komenti/Personalitetet e së majtës, të depersonalizuar përballë uzurpimit të partisë
Edi Rama në një takim me gazetarët i pyetur rreth përjashtimit të figurave kryesore të PS në fjalimet e konventës së programit “Rilindje”, iu përgjigj pyetjes kështu: “ka pasur mungesa, Ben Blushi për motive shëndetësore, të tjerët janë angazhuar me detyra të tjera, ose në faktin që nuk janë përfshirë në hartimin e programit”.
Kjo përgjigje vërteton filtrimin e njerëzve protagonist në plenumin mediatik dyditor të Ramës në pallatin e Kongreseve.
Të përjashtuarit e mëdhenj janë Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Bashkim Fino, Arben Malaj, Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi, Ethem Ruka, Arta Dade, Valentina Leskaj, Ilir Gjoni, Vasilika Hysi, Erjon Braçe, e shumë deputetë e personalitete të tjerë me kontribute të rëndësishme në Partinë Socialiste, të cilëve iu refuzua marrja e fjalës dhe dhënia e mendimeve në konventën e programit të “Rilindjes”. Këto personalitete të njohura të PS ishin spektatorë të depersonalizuar pa perspektivë politike për të pritshmen. Megjithatë është e pa konceptueshme që ish-presidentë, ish-kryeministra dhe ish-ministra socialistë të lihen jashtë ekspertizës politike të një programi opozitar qeverisës.
Ish-presidenti Meidani, ish-kryeministrat Majko e Fino deri te ish-ministrat Malaj, Dade, Ruka kanë aq shumë eksperiencë politike e qeverisëse sa në krahasim me cektësinë e mendimeve të Erjon Velisë e Olta Xhaçkës bëjnë diferencën publike. Trajtimi i këtyre figurave të rëndësishme e me kontribute në PS sikur të ishin të parëndësishëm sinjalizon faktin e kryer që janë jashtë rrethit të ngushtë vendimmarrës në PS, ku ligjin e bën Rama me do cuba të rinj si Erjon Veliaj e Sajmir Tahiri. Dhe po të shikosh emrat e atyre që folën në punimet e plenumit mediatik dy ditor konstaton se janë krijesa parapolitike të Edi Ramës.
Me një llaf, u lejuan të lexonin fjalimet kandidatët e përcaktuar për deputetë të PS në parlamentin e pas 23 qershorit, ku spikaste Taulant Balla, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka, Ilir Beqja, Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Auron Tare, Shkëlqim Cani, Erjon Veliaj. Të gjithë këto deputetë janë krijesa politike të dalë nga mitra e përgjakur e ish-organizatës parapolitike “Mjaft”, “G99” dhe lidhjeve bllokmenë të pinjollëve të Enver Hoxhës.
Në persekutim publik Edi Rama i ngjan Enver Hoxhës në ide dhe jo në metodë. Diktatori Hoxha i vriste kolegët kundërshtarë dhe ia hiqte meritat dhe kontributet në ngjarje të rëndësishme të partisë, madje revizionizmi i historisë shkonte deri në retushim të fotove të përbashkëta. Edi Rama në mungesë të eliminimit fizik të kundërshtarëve i përjashton formalisht nga jeta e partisë duke i nxjerrë të padobishëm.
Sido që të jetë, në plenumit mediatik dy ditor kompetenca politike e teknokratike e Majkos, Meidani, Finos, Dades, Malajt ishte zëvendësuar me propagandën e organizatave radikale jo qeveritare të Erjon Veliajt dhe Olta Xhaçkës, që meritë “politike” kanë miqësinë e ngushtë me kryetarin Rama, të cilit iu detyrohen për karrierën.