Vëzhgimi/Reforma socialiste në shëndetësi prodhon veç invalidë
Platforma e PS-së është një rikthim tek epoka e mjekësisë sovjetike, ku askush s’kishte përgjegjësi për jetën e njeriut dhe që nën maskën “askush s’paguan për shëndetin”, fshihej lënia jetim e atyre që s’kanë të ardhura ndaj çfarëdolloj kujdesi shëndetësor
Platforma e Partisë Socialiste për Shëndetësinë cilësohet nga ekspertë të fushës si rreziku më i madh që i bëhet sistemit shëndetësor dhe reformave të ndjekura gjatë viteve të fundit në këtë sektor me rëndësi jetike. Aktualisht sistemi rregullohet në bazë të kontributeve, të cilat përkthehen në shërbime shëndetësore për qytetarët në spitalet publike dhe private. Kontributet zënë rreth 25 për qind të financimit të sistemit dhe nga këtu zë fill ngërçi i projekt-idesë “Rilindëse” të PS, për heqjen e kontributeve. Kush do ta financojë këtë 25 për qind të kontributeve? Përgjigja nuk dihet, sepse nga lidershipi socialist s’ka ardhur një përgjigje e tillë, veç fokusimit tek propaganda dhe fushata anti-shëndetësi me disa mjekë militantë të PS. Sigurisht që edhe modeli aktual, pra ai i kontributeve, lejon shërbim shëndetësor falas, kjo për të papunët. Por, ideja apo platforma e Partisë Socialiste nuk është kjo, pra shërbim shëndetësor falas për të papunët, pasi deri më sot askush nga shtresa e të papunëve, nuk paguan për shërbimet mjekësore në spitalet publike. Edhe pse rëndom, në mungesë të theksuar informacioni dhe larg realitetit, PS spekulon në mënyrë të turpshme se, shtresës të të papunëve i ofrohet shërbim shëndetësor kundrejt pagesës. Partia Socialiste ka një shqetësim tjetër. Shqetësimi që tentohet të kalohet përmes “shërbimit shëndetësor falas” konsiston në planet afatgjata të Edi Ramës, me idenë se pas disa vitesh do ia dalë të qeverisë vendin dhe përmes këtij modeli regresiv të shërbimit shëndetësor, jeta e njeriut do jetë gjithnjë e më shumë në dorë të pa sigurt dhe kjo njëherazi i heq sistemit përgjegjësitë pas çdo rasti pavarësisht kostove të rënda shëndetësore për pacientët.
Pra, kalojmë nga një model i mirë-rregulluar dhe të bazuar në sistemin më efikas të momentit në mbarë Europën e zhvilluar, përmes kontributeve të gjithsecilit tek platforma e mjekësisë staliniste që do të thotë se askush s’mban përgjegjësi për jetën e pacientit në një spital publik, pasi shndërrimi i këtij të fundit në han me dy porta pa sistemin e kontributeve dhe pa asnjë garanci ligjore për statusin e mjekut, domosdo do krijojë disekuilibra në shërbim dhe normalisht shndërrohet në burim ryshfeti.
Para së gjithash më e dhimbshmja në të gjithë këtë është jeta e pacientit.
Siç duket Edi Rama është i interesuar që, kush i drejtohet spitaleve për të marrë shërbimin shëndetësor, të mos kthehet gjallë në shtëpi, ose mundësisht jo i aftë për punë, pra invalid. Në gjithë këtë, platforma e PS për mjekësinë nuk është “Rilindja”, por invaliditeti...