Komision Etike në PS, Balla: Synon frenimin e emërimeve nepotike

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, është prezantuar një projekt i ri që parashikon ngritjen e një Komisioni Etike brenda partisë, me synimin për të frenuar emërimet nepotike dhe praktikat që lidhen me ndikimin partiak në administratë.
Kreu i grupit parlamentar të PS‑së, Taulant Balla, tha se projekti është pjesë e reformave të paralajmëruara nga kryeministri Rama për mandatin e katërt, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm drejt frenimit të punësimeve nepotike.
“Mbledhja e grupit ka pasur disa çështje në rend dite, njëra prej të cilave ka qenë prezantimi i projektit për ngritjen dhe funksionimin e një komisioni etike në Partinë Socialiste. Sot u paraqit një draft i parë i qëllimeve dhe mënyrës së funksionimit të këtij komisioni, i cili lidhet me atë që kryetari Rama e ka prezantuar si një nga hapat e rëndësishëm të këtij mandati për goditjen e emërimeve nepotike që vijnë edhe me një mbulesë partiake,” u shpreh Balla.
/rtsh.al/