E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisionerët e “Gërdecit” në gjyq për shpërdorim detyre

03/03/2010 Ekspertët: Kemi kryer vetëm detyrën, mund të kemi gabuar në llogaritje

Të tjerë specialistë përllogaritën dëmet dhe nxorën parregullsitë

TIRANË- “Gërdeci 3” është quajtur procesi gjyqësor i filluar kundër komisionerëvë të vlerësimit të dëmeve në Gërdec, ku dje janë dëgjuar dëshmitë e tyre, si dhe të specialistëve që bënë llogaritjet për herë të dytë. Janë dhjetë komisioner, të cilët po përballen në gjykatë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Të pandehurit para gjyqtarit Gerdi Hoxha janë shfajësuar duke pretenduar se kanë kryer vetëm detyrën dhe nuk kanë bërë gabime në llogaritje. Ndërkohë që akuza është duke paraqitur prova, të cilat vërtetojnë se të gjithë personat që kanë qenë në komisionet e vlerësimit të pasurive kanë gabuar në llogaritje duke vënë shuma fiktive. Kështu akuza para gjykatës është shprehur se të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë llogaritjet dhe kanë caktuar vlerën e dëmit mbi vlerën reale të tij. Kjo bëri të kryhej një verifikim në dokumente dhe në llogaritjet e tyre. Një tjetër komision doli në terren për të bërë matjet dhe përllogaritjet për të dytën herë dhe shuma ka ndryshuar. Për të vërtetuar akuzën e ngritur nga Prokuroria, gjykata ka thirrur me cilësinë e dëshmitarëve specialistët që bënë matjet për herë të dytë. Shumë prej familjarëve u detyruan të kthejnë mbrapsht shumat e parave të marra nga Bashkia Vorë. Ndërkohë që ata nuk kanë qenë dakord me këtë fakt duke pretenduar se i kanë marr paratë në bazë të gjithë dokumenteve të depozituara. Sipas organit të akuzës, komisionerët kanë vlerësuar me çmime të larta edhe ato shtëpi, të cilat nga tragjedia e Gërdecit nuk pasuan ndonjë dëmtim të madh. Kështu ka raste kur shtëpi që duhej të riparoheshin kanë marrë para për t’u ndërtuar nga e para.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›